Eko Higjiena

Gjilanasi Abaz Syla “urë” ndërlidhëse në mes Kosovës e Çekisë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Jeta e mërgimtarëve Kosovarë ndër vite ka qenë shumë interesante dhe me plot sfida të ndryshme gjatë jetës së tyre. Për gjilanasin, Abaz Syla, jeta e mërgimtarit ka filluar që nga viti 1989 jo nga dëshira e tij por nga përndjekja e aparatit policorë të Serbisë të cilin e ushtronte tek popullata e pafajshme e Kosovës.

60 vjeqari Abaz Syla rrugëtimin e tij për mërgim nuk e kishte menduar asnjëherë, por pikërisht me 27 mars të vitit 1989 jeta e tij merr një kahe tjetër duke ja ndryshuar tërësisht jetën e tij.

Abaz Syla si i ri ishte boksier tek Partizani i Gjilanit, dhe aty së bashku me dëshmorin e kombit Agim Rashitin, kishin filluar karrierën e tyre të boksit, ata njeherit ishin edhe shokë të pandashëm .
“Agimin e kam pasur edhe shokë edhe fqinjë, jemi rritur së bashku, kemi boksuar së bashku dhe gjithçka që kemi bërë e kemi bërë së bashku. Në ditën kritike të vrasjes së Agimit kemi qenë në ballë të protestave, policia Serbë na ka ndjekur me të gjitha mjetet të cilat i posedonte, në ditën kritike me Agimin jemi ndarë, ai ka shkuar nga spitali i qytetit, unë nga Palestra Sportive dhe e kemi lënë një takim pas një kohe të shkurt, por fatkeqësisht ai ishte takimi i ynë i fundit, Agimin pas pak çastesh e kanë goditur plumbat ndërsa unë isha në pjesën tjetër të turmës, ishte një moment të cilin nuk mund ta harroj asnjë moment, ishte moment trishtues pastaj policia më ka kërkuar me ditë të tëra dhe me shumë vështirësi ja kam dalur të largohem nga Kosova për ti ikur regjimit policor Serb”, kujton pas 32 vitesh ish-boksieri e veprimtari i çështjes shqiptare, Abaz Syla.

Abaz Syla tani e shumë vite për nder të turnirit memorial të boksit “Agim Rashiti”, shumë herë i ka mbuluar edhe shpenzimet e këtij turneu, por edhe ka sjellur boksier nga Çekia e Polonia për nderë të shokut të tij, Agim Rashitit.

Abaz Syla është një personalitet si “urë” lidhëse e shumë shqiptareve jo vetëm nga Gjilani por nga e tërë Kosova, duke ju dalur në ndihmë sa herë që kanë pasur nevoja të ndryshme.

“T’ju them të drejtën shumë njerëz të politikës Kosovare që kanë ardhur në Çeki i kam pritur e ju kam aranzhuar takime të ndryshme, poashtu edhe njerëzve të estradës si dhe shumë sportistë që kanë kërkuar ndihmën time vazhdimisht pa asnjë hezitim kam qenë krahu i djathtë i tyre, dhe jam shumë i lumtur për këtë që kam pasur mundësi ti ndihmojë njerëzve të popullit tim”, bënë të ditur Syla.

Mobi Casa

Ish-boksieri e veprimtari i shquar, Abaz Syla, me takimet që kishte pasur me krerët e shtetit të Çekisë kishte organizuar ndihma të ndryshme për popullin e Kosovës, por njëra që i kishte mbetur në kujtesë ishte ajo pak para luftës së fundit të Kosovës.
“E kontaktova dhe pata takim me Václav Havelin e i tregova se populli i Kosovës është në gjendje të vështirë ekonomike dhe në Pragë të luftës, ai menjëherë i ka nisur tre kamion të mëdhenj me vlerë 250 000 euro, kur kanë mbërritur këta kamion në Serbi doganierët i kishin thënë njërit shofer se një kamionë duhet ta leni për popullin Serb në Serbi ndërsa dy të tjerët dërgoni në Kosovë, por ata nuk kanë pranuar dhe me intervenim të ambasadës ata kamionë me ndihma i kanë dërgu në Drenicë, më pas me tu kthyer njërin nga vozitësit e kamionit forcat Serbe e kanë burgosur me javë të tëra dhe me intervenimin e Havelit ai është liruar”.

Për Abaz Sylën gëzimi më i madh ishte kur shteti i Kosovës ka shpallur pavarësinë dhe kur Nëna Tereze kurë është shpallur shenjtëreshë.
“Ka shumë momente të lumtura gjatë këtyre viteve por pavarësia e Kosovës ishte kulmi i ëndrrës, në Ostravë të Çekisë kam pasur rreth 400 mysafirë e në mesin e tyre shumë politikan e fytyra të ndryshme të shtetit të Çekisë, kemi festuar shumë gjatë, poashtu edhe Nëna Terezë kur është shpallur hyjneshë ishte një festë e madhe me shumë miq të nderuar të Çekisë”.

Veprimtari Abaz Syla ka një pyetje për ambasadorët e Kosovës të cilët kanë qenë dhe janë në Çeki.
“Si është e mundur që asnjë ambasadorë gjerë më tani asnjëherë kurrë nuk i ka ftuar qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në Çeki në asnjë festë shtetërore apo fetare, ndërsa ambasada e Shqipërisë gjithmonë na fton në manifestime të ndryshme”.

Abaz Syla ka një porosi të veçantë edhe për udhëheqësin e re të shtetit të Kosovës.
“Kërkojë nga qeveria e re që angazhimin më të madh ta bën në Ministrinë e Arsimit, pasi pa arsimim jemi të verbët dhe jemi të pa kulturuar, kërkojë gjithashtu që fyerjet mes veti të ndalen, kjo ndodh vetëm në Kosovë, mos e nënçmoni njeri tjetrin kjo nuk është edukatë e jona”.

Abaz Syla është njeri i cili plot 32 vite është në shërbim të shtetit të Kosovë dhe i cili gjithmonë është me zemër e me frymë për popullin e Kosovës.

Institucionet lokale e shtetërore nuk duhet harruar këta njerëz që tërë dijen e sakrificën e tyre e kanë dhënë dhe po e japin për të mirën e popullit të Kosovës./rajonipress/