RCCOLA

Gjermania paralajmëroi “zhbllokim”, çfarë tha Kurti e çfarë po bëhet në Bruksel për masat ndaj Kosovës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Sot ka nisur votimi në shtetet e Bashkimit Europian për zgjedhjen e Parlamentit Europian, i cili më pas do të sjellë udhëheqje të re në bllok. Por, udhëheqja aktuale e ka për detyrë që të marrë një vendim rreth masave që ia ka vendosur Kosovës meqë kjo e fundit ka plotësuar edhe kushtin e fundit me referendumin e organizuar në veri të një marrëveshje të nënshkruar në Bratisllavë për shtensionim të situatës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, është “duke e finalizuar” një raport rreth situatës në Kosovë që ia kanë kërkuar shtetet anëtare në bazë të së cilit pritet që të vendosin nëse duhet t’ia heqin masat ndëshkuese Kosovës.

Zëdhënësi i tij, Peter Stano, në disa deklarata të fundit ka përsëritur të njëjtën përgjigje se Borrell është duke e finalizuar këtë raport, megjithatë ai s’ka dhënë ndonjë datë të caktuar se kur duhet ta dorëzojë atë.

“Këshilli ftoi Përfaqësuesin e Lartë që të paraqesë një raport për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Raporti është duke u finalizuar dhe së shpejti do t’i paraqitet Këshillit”, tha Stano për Gazetën Express para dy ditësh.

Por, një shenjë se do të ketë lëvizje në këtë drejtim e ka dhënë dje ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Pas një takimi që pati me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, Rohde tha se do “të zhbllokohet”.

“Patëm një takim miqësor dhe të mirë për çështjet aktuale, Këshillin e Europës, heqjen e masave dhe kam treguar pozicionin e Gjermanisë si partner i ngushtë i Kosovës në Europë dhe së shpejti do të kemi vendime të cilat e zhbllokojnë situatën”, ka deklaruar Rohde dje.

Për këtë çështje dje ka folur edhe kryeministri Albin Kurti në një intervistën për mediumin e Shqipërisë, A2CNN. Kurti aty përsëriti një deklaratë që e ka bërë disa herë në Prishtinë. Ai thotë se tashmë s’është në dorën e Kosovës kjo çështje, por po varet nga “dinamikat” brenda Unionit.

ARKATANA

“Arsyetimi ka qenë nevoja për deeskalim. Deeskalimi ka ndodhur, ka pasë rieskalim, për të cilin fajtori është i qartë, Vuçiq dhe Radoiçiq. Deeskalimi sërish ka ndodhur, uroj që të mos rindodhë rieskalimi, por nuk mund të ndëshkohet Kosova për këtë gjë. Unë besoj që arsyeja që s’po na i heqin masat ende më shumë ka të bëjë me dinamikat e brendshme të Bashkimit Europian sesa me gjendjen apo sjelljen e Kosovës mbase pasi të mbarojnë këto zgjedhjet në BE me datën 9 qershor është dita e fundit, do të krijohen kushtet më të favorshme. Por, sërish nuk më takon mua të them se dinamikat e brendshme të shteteve anëtare nuk janë edhe plotësisht të qarta për mua dhe nganjëherë janë edhe befasuese”.

Kurti, që tha se masat ndëshkuese në të vërtetë ishin sanksione të BE-së kundër Kosovës, nuk shprehi pendesë për veprimet e tij të cilat, sipas BE-së, shkaktuan masat.

“Unë nuk do të bëja diçka ndryshe nëse do kthehesha në kohë. Kam qenë i interesuar që serbët të marrin pjesë në zgjedhje 23 prill 2023. I bojkotuan. Në zyra duhet të hyjnë ata që zgjedhën sepse Kushtetuta na e kërkon këtë”.

Edhe pas organizimit të referendumit në komunat veriore, BE kishte deklaruar se kushtet ende s’ishin të krijuara për shtensionimin e kërkuar. Megjithatë, Kurti në këtë intervistë e bëri me dije se tashmë për serbët në veri të Kosovës nuk do të ketë mundësi tjera përveçse të presin zgjedhjet e rregullta.

“Duhet t’i presin zgjedhjet vitin e ardhshëm”.

Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë, duke cituar burime diplomatike në Bruksel, tha se javën e ardhshme Borrell do të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.

BE pati paralajmëruar se në këtë raport do të jetë i përfshirë edhe aksioni i fundit i autoriteteve të Kosovës që mbylli gjashtë njësi të së ashtuquajturës Banka Postare Kursimore.