Gjergjaj për shqiptarët: Jam një nga ju
Arnold Gjergjaj ndihet krenar që është shqiptar.Boksieri nga Kosova, Arnold Gjergjaj, thotë se në ringun e boksit përfaqëson të gjithë ata që e përkrahin.
Edhe pse mori pasaportën e Zvicrës, Gjergjaj në një intervistë për Express deklaroi se ndihet krenar që është shqiptar.
Ai ka një porosi të veҫantë për të gjithë: Luftoni për synimet e juaja, pa marrë parasysh në cilin vend jeni.
Ndryshe, Gjergjaj është kampion në fuqi i Evropës dhe në renditjen botërore është i 43-ti. Ai garon në kategorinë e rëndë.
Gazeta Express: A mundeni me na fol për meҫin dhe për kundërshtarin?
Gjergjaj: Kundërshtari nuk është se ka pas përvojë të madhe në boks, mirëpo të gjitha ndeshjet që i ka zhvilluar deri tani i ka pas fitore me KO (nokaut) dhe është i pari në Hungari. Por prej tij kom mësuar shumë për në meҫet e tjera të ardhshme. Po ashtu, desha ta përmend se ketë herë nuk kam dashtë me u ngutë gjatë këtij meҫi, por kam dashtë me bo lojë deri në fund, e jo me përfundu vetëm me KO.
Gazeta Express: Keni paralajmëruar meҫ të rëndësishëm në muajt e ardhshëm me dikë shumë të fortë? A bëhet fjalë për Klitschko?
Gjergjaj: Ende nuk është koha për Klitschko. Tash më pret një ndeshje me dikën që është në top 20 në Botë, e pastaj shpresoj Klitschko.
Gazeta Express: Kënd e përfaqëson në ring, pasi tashmë thuhet se keni edhe pasaportë zvicerane?
Gjergjaj: Unë jam shembulli i një shqiptari të suksesshëm në Zvicër. Unë mburrem se jam shqiptar, por edhe Zvicra më ka ofruar shumë mua, nuk mund ta mohoj. Më ka dhënë shumë mundësi, për këtë e respektoj shumë edhe këtë vend. Edhe zviceranët, ashtu sikurse shqiptaret mburren shumë me mua. Përveç për arritjet e mia në sport, në Zvicër më kanë vlerësuar edhe për kontributin që kam dhënë në ndihmë të njerëzve me nevojë. Më kanë dhënë edhe çmime.
Për mu kanë vlerë të dy pasaportat edhe e Kosovës edhe e Zvicrës. Dyja do ti mbaj dhe krenohem me to, ashtu siç krenohen popujt e të dy këtyre vendeve me mua. Unë jam nga Kosova dhe vi shpesh atje, asnjëherë nuk e kam harruar vendim tim, për këtë çdo herë kur boksoj me mua është edhe flamuri shqiptar. Populli shqiptar më ka mbështet prej fillimi, pres edhe që shteti të më përkrahë. Dua t’i bëj krenarë të gjithë.
Gazeta Express: Ndonjë mesazh për adhuruesit tuaj shqiptarë?
Gjergjaj: Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen që ma jepni vazhdimisht. Edhe unë jam një nga ju, dhe dua tu them të gjithëve që të luftoni për të arritur sukseset, pa marrë parasysh se ku jeni. Duhet të luftoni që vet ju, familjet dhe gjithë të tjerët të krenohen me ju. Unë po i bëj krenar dy vende, vendin ku u linda dhe prej nga vi dhe vendin ku tash jetoj e ku nisa karrierën. Edhe kjo ka rendësi për mua. Edhe kjo është një tjetër sukses. Krenohem me ju.

