Gjergjaj: Dua të bëhem kampionë bote

Menjëherë pas mbarimit të luftës për titullin evropian të boksit në kategorinë EBU-EE, shqiptaro-zvicerani Arnold Gjergjaj deklaroi se ëndrra e tij e radhës është të jetë numri 1 i boksit në botë.
Titullin e Kampionit Evropian ai e fitoi me K.o. në rundin e nëntë kundër boksierit Adnan Rexhovic, të shtunën në mesnatë, në palestrën sportive St. Jakob në Bazel, para më shumë se dy mijë adhuruesve të boksit, shumica prej tyre shqiptarë. Boksieri me origjinë nga Gjakova, i njohur ndryshe me nofkën “Kobra”, tha se po përgatitet për t’u bërë kampion bote.
Arnold Gjergjaj u dha adhuruesve një spektakël boksi zviceran të paparë deri më tani. Gjergjaj u bë zvicerani i parë pas 100 vjetësh që fiton titullin EBU-EE të kategorisë së rënë.
I pyetur nga albinfo.ch për hapin e ardhshëm pas kësaj fitoreje të rëndësishme në karrierën e tij, Gjergjaj tha se synimi është kampioni i botës. “Meqë tashmë jam Kampion Evropian, hapi im i ardhshëm është të fitoj titullin e Kampionit Botëror. Kjo është dëshira ime, unë gjithmonë kam thënë se dua të bëhem kampion bote, të jem numër 1”, tha ai.