UBT

Gjenerali gjerman: Sulmi terrorist në Banjskë nuk ka mundur të ndodhë pa mbështetjen e autoriteteve të larta në Serbi

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjenerali gjerman Erhard Buhler, i cili ka shërbyer për një vit si komandant i KFOR-it në Kosovë, i kushtuar vëmendje të veçantë situatës së sigurisë në rajon.

Në një intervistë të dhënë për televizionin publik kroat HRT, ai është shprehur mbi sulmin në shtatorin e vitit të kaluar në manastirin e Banjskës, të cilin e ka cilësuar si akt terrorist dhe ka theksuar ndërhyrjen e mundshme të forcave të sigurisë nga Serbia.

Buhler ka shprehur bindjen se ky sulm nuk mund të ketë ndodhur pa dijeninë dhe, ndoshta, pa mbështetjen e autoriteteve të larta në Serbi.

“Në një vend si Serbia, kjo nuk është e mundur pa e ditur nivelet më të larta,” ka deklaruar ai.

Gjenerali ka komentuar gjithashtu edhe kërcënimet e fundit të raportuara nga Ministria e Brendshme e Kosovës, të cilat flasin për një grup prej rreth dyqind personash nga Serbia të armatosur dhe të gatshëm për sulme.

“Kosova është në pozitë shumë të mirë. Në Kosovë ka forca ushtarake me mandat të Këshillit të Sigurimit. Ata shqetësohen për sigurinë e Kosovës. Nuk duhet të merren vendime, nuk ka konsultim për nenin 5, nuk keni nevojë për ndonjë vendim. Paqeruajtësit janë tashmë atje. Janë 6000 ushtarë nga vendet tona: nga Kroacia, Gjermania, SHBA etj. Nëse e dimë këtë, nuk ka arsye të vazhdojmë me atë retorikë luftarake, nga të dyja palët”, tha ish-komandanti i KFOR-it.

Ai shtoi se nuk është e pranueshme që të përkrahet një grup terrorist dhe as që është e pranueshme që ushtria serbe të dërgojë trupa në kufirin me Kosovën dhe të kërcënojë Kosovën.

“Nuk është e pranueshme as retorika e qeverisë serbe. Por gjithashtu nuk është e nevojshme të flitet vazhdimisht për luftë. Është një pengesë në zhvillimin e të gjithë rajonit. Nuk duhet të ushqejmë një retorikë të tillë që i frikëson njerëzit, veçanërisht në Kosovë, por edhe në vendet përreth Kosovës, u shpreh më tutje.

Eco Higjiena

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha më 8 prill se vendi i tij do të sigurojë që të përmbushet çdo hap i Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë një adresimi të përbashkët me Vuçiqin në Paris, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe një zotim për të ardhmen e rajonit”.

Ai, gjithashtu, tha se është e rëndësishme që pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

Të nesërmen, Vuçiq u tha gazetarëve se bisedimet me presidentin francez për Kosovën nuk ishin të lehta, por se mendon se Macron “e kupton qëndrimin e Serbisë”.

Megjithatë, ai nuk i përmendi rezultatet e hetimeve për Banjskën.

Më 24 shtator, 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, i cili më pas dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit./Telegrafi/