RCCOLA

Gjendja e sigurisë gjatë vitit 2014 në Viti është cilësuar e qetë dhe stabile

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Viti – Në mbledhjen e gjashtë të rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, është vlerësuar gjendja e sigurisë në komunën e Vitisë si e qetë dhe stabile për gjatë vitit 2014. Komandanti i stacionit policor në Viti kapiteni Agim Lipovica, ka theksuar se në aspektin e sigurisë, gjendja ka qenë shumë e mirë. Për këtë ai ka çmuar lartë bashkëpunimin me qytetarët dhe instancat tjera.

Sa i përket rasteve të evidentuara, Lipovica tha se gjatë vitit 2014 janë shënuar 849 raste që janë raportuar në polici.

Ndërsa sa i përket aksidenteve të trafikut, ai tha se kanë shënuar rënie këtë vit në komunën e Vitisë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar 2013.

Vetëm gjatë vitit 2014, janë lëshuar diku 2.510 tiketa për gjobat në trafik. Kjo ka ndikuar që të kemi edhe rënie të aksidenteve. “Gjatë vitit 2013, sipas statistikave tona janë regjistruar 236 aksidente, ndërkohë që gjatë vitit që po e lëmë pas, pra 2014, janë të regjistruar 189 sosh”, ka thënë kapiteni Lipovica.

Eco Higjiena

Ai po ashtu ka njoftuar se nga urdhëresat e gjykatës janë inkasuar diku rreth 500 mijë euro, që është një rezultat i mirë i bashkëpunimit ndër institucional. Kurse për aspektin sigurisë, Lipovica ka thënë se gjendja është shumë e mirë dhe nuk ka eksese as ndëretnike e as fetare gjë për të cilën ka ndikuar bashkëpunimi tejet i mirë i qytetarëve më organet e rendit.

Zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, ka shpreh falënderim për anëtarët e KKSB-së të cilët në vazhdimësi kanë qenë shumë të angazhuar në kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri të plotë.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Nexhmedin Jakupi, duke folur për gjendjen aktuale të rrugëve në komunën e Vitisë, ka thënë se që nga e diela është intervenuar në fshatrat Debellde, Buzovik, Stubëll e Beguncë, kurse sot është duke ju bërë një kontroll dhe pastrim të të gjitha rrugëve nëpër fshatrat e komunës së Vitisë.

Sipas Jakupit, të gjitha rrugët në komunën e Vitisë janë të kalueshme./rajonipress/