Gjemi nga kajsitë, ëmbëlsira më e shëndetshme

Ka filluar sezoni i kajsive. Kjo për shumë pemë e preferuar, shumë amviseve u shërben si inspirim për përgatitjen e ëmbëlsirave të shijshme. Shumica e amviseve parapëlqejnë të përgatisin gjemin nga kajsitë.
Ne sjellim një recetë që nuk përmban ëmbëltues artificial, as konservant. Përbërësit e nevojshëm: 5 kg kajsi të shëndetshme, të pastruara mirë dhe pa bërthamë (lëvorja nuk hiqet); 2 kilogramë sheqer. Përgatitja: Kajsitë i copëtoni dhe i radhisni në enë. Më pas enën e vendosni në pllakën e shporetit, e mbuloni dhe e zieni për rreth 15 minuta në temperaturë të lartë.
Kohë pas kohe e hiqni kapakun e enës, dhe kini kujdes të mos digjen. Mos shtoni asnjë lëng tjetër, sepse kajsitë vetvetiu lëshojnë lëngun e tyre. Pas rreth 15 minutash, ulni temperaturën, e kajsitë i zieni edhe për një orë. Gjatë gjithë kësaj kohe, duhet pasur kujdes të mos digjen. Pas një orë shtoni sheqerin, e krejt bashkë i zieni edhe për 20 minuta, më pas i vendosni nëpër kavanoz. Kavanozat i mbyllni dhe i ruani në vend të errët e të thatë.
(Kosova Sot)