Gjejeni një Jablanovic
Nga Imer Mushkolaj – Rastin e lëshuar në janar, për vazhdimin e protestave gjithëpopullore, opozita nuk e ka të lehtë që ta kompensojë më 18 prill. Për më tepër, atëherë në shënjestër ishte një serb, andaj reagimi qytetar ishte aq i madh. Një Aleksandar Jablanovic duhet shpikur gjithsesi
Kur një grup qytetarësh u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë, një ditë pasi Isa Mustafa shkarkoi nga detyra Aleksandar Jablanovicin, aty nuk u pa asnjë përfaqësues i opozitës. Protestat masovike nuk vazhduan më dhe pakënaqësitë e qytetarëve nuk kishte kush t’i materializojë më tutje.
Nga dy kërkesat e protestuesve, vetëm ajo për largimin e ministrit serb ishte potësuar, ndërkohë që për kompaninë Trepça u tha se zgjidhja do të gjendej shpejt.
Që atëherë, zgjidhja për Trepçën nuk është gjetur, e ministrin Jablanovic nuk e ka zëvendësuar askush. Për më tepër, përfaqësuesit e Listës Srpska po i bojkotojnë institucionet, ndonëse vazhdojnë të paguhen majmë pa bërë asnjë punë.
Gati tre muaj pas protestave që mblodhën mijëra veta në sheshet e kryeqytetit, partitë opozitare kanë bërë thirrje që të protestohet sërish, tash kundër kapjes së shtetit. Pasi u tërhoqën nga protestat atëherë kur ishte krijuar një masë kritike e reagimit qytetar, opozita po pretendon se sërish mund të mbledhë shumë njerëz në sheshe – tash përveç për Trepçën edhe me kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, transmetuesin publik, sistemin e drejtësisë dhe Asociacionin e Komunave Serbe.
Ka shumë, shumë arsye që të protestohet në Kosovë, madje çdo ditë. Por, nuk ishte veprim i mençur i opozitës tërheqja nga protestat dhe, në njëfarë forme, tradhtia ndaj qytetarëve të cilët në kërkesat për Jablanovicin e Trepçën i shihnin të sublimuara edhe shumë kërkesa të tjera për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen. Rasti atëherë u lëshua dhe është e vështirë të krijohet një i dytë si ai
* * *
Nuk kishte asnjë arsye që protestat të mos vazhdonin në janar. Shteti ishte i kapur edhe atëherë si tash. Enver Hasani e Hajredin Kuçi edhe atëherë mbanin postet që i mbajnë tash.
Sistemi i drejtësisë vazhdon t’i ketë problemet e njëjta dhe Gjykata Kushtetuese është po ajo. Rreziku i krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe ishte evident si atëherë, ashtu edhe tash. Edhe tash, si atëherë, problemet dhe sfidat e transmetuesit publik janë të njëjtat, ashtu siç e njëjta gjendje është edhe në kompaninë Trepça. Edhe çmimi i rrymës është po ai.
Nuk e kuptoj pse u desh që opozita të dorëzohet në gjysmë të rrugës në janar, për t’i vazhduar protestat tash, në prill. Mbase llogaritë që i kanë bërë iu kanë dalë të atilla që tash është koha më e përshtatshme, megjithëse unë jam skeptik se mund të mblidhet një masë e atillë njerëzish si atëherë.
Deshi a nuk deshi ta pranojë opozita, njerëzit atëherë u mblodhën në masë aq të madhe dhe adrenalina mbërriti kulmin edhe për shkak të mbiemrit Jablanovic. Për opozitën ishte më e lehtë që të mbledhë sa më shumë njerëz me kërkesë shkarkimin e tij.
Së pari, ai kishte fyer qytetarët dhe së dyti, ishte serb. Natyrisht, të qenit serb, ishte një karrem për qytetarët e frustruar, të cilët e dinin se ai nuk ishte fajtori për gjendjen e tyre të vështirë ekonomike e sociale. Fajtorë ishin të tjerët, një pjesë e të cilëve ndodheshin në ndërtesën e Qeverisë e një pjesë tjetër brenda vetë opozitës.
* * *
Partitë opozitare që kanë thirrur protestën e 18 prillit duhet ta kenë parasysh se kësaj radhe iu mungon një Jablanovic, për t’i tërhequr qytetarët në sheshe. Më e lehtë ishte atëherë se tash që njerëzit t’i përgjigjen thirrjes për të demonstruar, madje edhe në mënyrë të dhunshme. Kishte ndjenja tjera, sentimente tjera atëherë dhe opozita nuk diti t’i materializojë ato dhe ta kanalizojë si duhet pakënaqësinë qytetare.
Nuk është e lehtë të gjenden njerëz që janë të gatshëm për protesta gjithmonë, në çdo kohë. Nëse rasti vjen njëherë, nuk duhet humbur.
Opozita duhet ta dijë se është humbur një shans në janar dhe tash kërkesa e tyre për protestë tingëllon edhe pak hipokrite. Në mos për asgjë tjetër, të paktën për faktin se mijëra nënshkrime të qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike nuk janë trajtuar asnjëherë në Kuvend, ndërkohë që një pjesë e opozitës ishte e gatshme që të bëjë koalicon edhe me dreqin, e lëre më me Listën Srpska dhe rrjedhimisht, nuk kishte gjë as kundër Asociacionit të Komunave Serbe.
Deri më 18 prill, opozitës mund t’i vijnë ndërmend edhe të tjera kërkesa dhe ta begatojë edhe më shumë ofertën për qytetarët. Por, pa një Jablanovic do ta ketë shumë më të vështirë se në janar.
Partitë opozitare do të duhej të ishin më të vendosura në qëllimet e tyre dhe më të sinqerta në organizimin e protestave. Loja me to dhe me qytetarët nuk është zgjidhje e mençur. Siç nuk mund të jetë e tillë as ndonjë protestë e dhunshme që më shumë do të prishte, sesa do të ndreqte diçka.


