Gjatë 2014’ës, 3526 lëndë të korrupsionit
Lëvizja ‘Fol’ ka publikuar të hënën një raport ku thuhet se gjatë vitit 2014 Policia, Prokuroria dhe Gjykatat kanë pranuar gjithsej 3526 lëndë të korrupsionit. Sipas Fidan Kalasë, nga këto lëndë, Policia ka trajtuar 557 raste, ku për veprën penale marrje e ryshfetit, ky institucion ka trajtuar 22 raste, për dhënie të ryshfetit ka trajtuar 47 raste dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare ka trajtuar 488 raste.
Policia, gjatë kësaj periudhe, ka arrestuar 63 persona.
Kalaja ka njoftuar se gjatë vitit 2014 Prokuroria ka pranuar në punë 1.987 raste, ku për veprën penale marrje e ryshfetit ka pranuar 41 raste, ka zgjidhur vetëm 22 raste, ndërsa për dhënie të ryshfetit ka pranuar 60 raste, dhe ka zgjidhur vetëm 48 raste.
Prokuroria po ashtu për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka pranuar në punë 1.886 raste, duke zgjidhur gjithsej 697 raste.
Ndërkaq, Gjykatat gjatë kësaj periudhe kanë pranuar në punë 982 raste, ndërsa janë zgjidhur vetëm 126 raste. Për dhënie të ryshfetit kanë pranuar në punë 66 raste, ndërsa kanë zgjidhur vetëm 25 raste, dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kanë pranuar në punë 790 raste, ndërsa janë zgjidhur gjithsej 194 raste.
“Lëndë të pazgjidhura në Prokurorinë e Kosovës, kemi 1218 raste, ndërsa në Gjykata janë 727 raste të pazgjidhura”, ka thënë Kalaja.
Ndryshe, Kalaja njoftoi edhe për të dhënat e Zyrës së koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike.
Këto të dhëna tregojnë se për vitin 2014 vlera e përafërt e pasurive të ngrira ose të sekuestruara arrin në vlerën rreth 31 milionë euro.


