Gjashtë muaj hiç
Kosova ka vendnumëruar edhe në gjashtë muajt e fundit, prej kur vendi qeveriset nga koalicioni PDK-LDK, shkruan sot Koha Ditore.Gjatë kësaj kohe, Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka përmbushur vetëm pak nga veprimet që ia kishte përshkruar vetes, por ka rritur në masë të madhe pakënaqësinë sociale.
Është përballur me emigrimin më të madh të kosovarëve prej pasluftës e këtej e edhe me protestën më të madhe e më të dhunshme që nga Shpallja e Pavarësisë. Është përballur edhe me grevën e mësimdhënësve, të minatorëve e edhe të gjykatësve, të cilët për një kohë paralizuan resorët përkatës.
Po kështu, edhe me bojkotin ndaj institucioneve që Lista Serbe e mbajti në fuqi derisa Qeveria u spraps para kushtëzimeve që i kishte vënë.
Ndonëse është bërë gjysmë viti prej kur është mandatar, Qeveria Mustafa akoma nuk është konsoliduar, përcjell koha.net. Kanë mbetur ende vakante shumë poste zëvendësministrash. Ndërkaq, është në proces rehatimi i militantëve partiakë nëpër borde të ndërmarrjeve publike e edhe nëpër agjenci të tjera të pavarura.
Qeveria është përballur me presionin e jashtëm për formimin e Gjykatës Speciale, të cilën akoma nuk ka mundur ta formojë. Po kështu, edhe për dialogun me Serbinë dhe kompromiset me veriun e banuar me serbë. Ka shprehur pafuqi për t’i transferuar edhe Forcat e Sigurisë në Forca të Armatosura.
http://koha.net/?id=27&l=62967


