Eko Higjiena

Giresse: Rumania është favorite, por në Prishtinë do të ketë befasi

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Kombëtarja e Kosovës gjatë këtij muaji do t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

“Dardanët” do të presin Rumaninë më 16 qershor, kurse pas tre ditësh do të luajnë në udhëtim ndaj Bjellorusisë, shkruan Gazeta Express.

Këto ndeshje do t’i takojnë xhiros tre dhe katër në Grupin I. Pas dy xhirove të para, në këtë grup prin Zvicra me 6 pikë – aq sa ka edhe Rumania si e dyta. Kosova është e treta me 2 pikë, pasuar nga Andorra dhe Izraeli me nga 1 pikë. Bjellorusia është e fundit dhe pa pikë.

Në prag të ndeshjes me Rumaninë, përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka dhënë një intervistë për mediumin rumun “ProSport”.

“Kam parë ndeshjet e fundit të Rumanisë, kam mbledhur shumë detaje interesante për ekipin, e di se çfarë duhet të bëjmë, por a prisni vërtet të mësoni nga unë sekrete të dobishme për Monsieur Iordanescu?”, tha fillimisht trajneri francez.

“Për ne është shumë mirë që mungon Razvan Marin, i cili ishte një lojtar i rëndësishëm në mekanizmin e ekipit. Gjithsesi, Rumania sot mbështetet më shumë te forca e grupit sesa te individët. Nuk ka më një Hagi apo një Dumitrescu. Është një kombëtare në kërkim të viteve të arta, e cila e nisi shkëlqyeshëm sezonin aktual dhe kjo na detyron të jemi edhe më të kujdesshëm për ndeshjen e së premtes”, shtoi ai.

Zero është numri i ndeshjeve direkte ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës. Ekipet kombëtare të këtyre dy shteteve do të takohen për herë të parë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“ProSport” vlerësoi se Giresse ka një avantazh shtesë në përgatitjen e lojës, pasi ka ftuar Ermal Krasniqin – futbollisti i cili aktivizohet te Cluji në Rumani.

Mobi Casa

Megjithatë, kështu nuk mendon edhe përzgjedhësi i “Dardanëve”, i cili u shpreh: “Për fat të keq, nuk ka asnjë mundësi që ai të jetë një spiun i përsosur, sepse ka pak lojtarë nga kampionati vendas për të cilët ai mund të flasë me ne, t’i njohë mirë”. Megjithatë, Giresse theksoi se “në skuadër [Rumani] ka shumë futbollistë të prodhuar nga Akademia Hagi, që për mua do të thotë certifikatë cilësie. Vura re që Farul e fitoi titullin edhe në Rumani. Hagi ishte një lojtar i mrekullueshëm dhe si trajner dëshmon se bën një punë produktive dhe pozitive” .

“Krasniqin nuk e kemi thirrur në grumbullimin e mëparshëm të kombëtares, sepse kemi shumë opsione në zonën sulmuese. Atëherë mendova se ishte më mirë që ai të qëndronte në klub, të përshtatej, të kishte kohë të integrohej, sepse ishte transferuar pak kohë më parë te Cluj. Tani ai mund të na ndihmojë më shumë”, vazhdoi 70-vjeçari.

Tutje, Alain Giresse foli edhe për dy ndeshjet e marsit – në të cilat Kosova barazoi me Izraelin dhe Andorrën. Të dy ndeshjet ishin mbyllur me rezultat të njëjtë 1:1.

Sa i përket ndeshjes me Andorrën, Giresse nënvizoi se barazimi me Andorrën e detyron Kosovën të mos gabojë me Rumaninë.

“Ishte një lloj loje ku kundërshtari mbyllet me të gjitha linjat, bllokon korsitë me përpjekje të jashtëzakonshme, varet në çdo top. Thjesht nuk gjetëm zgjidhjet e duhura, humbëm edhe raste, kështu që rezultoi ai barazim i pakëndshëm. Ishte një rezultat fatkeq, i cili tani na detyron të mos bëjmë më hapa të gabuar në shtëpi, përfshirë edhe ndaj Rumanisë”, tha Giresse, i cili pastaj shtoi se janë duke përgatitur një befasi për Rumaninë – ani pse vlerësoi se Kosova nuk është nivel i kombëtareve të rajonit; Kroacisë, Serbisë apo Malit të Zi.

“Nuk jemi në nivelin e Kroacisë, Serbisë apo Malit të Zi, por jemi duke përgatitur mjaft surpriza për Rumaninë. Ne do të kemi disa avantazhe për të përfituar, por ju lutem mos më pyesni se çfarë po mendoj, sepse kjo do të nënkuptonte zbulimin e gjërave të rëndësishme nga dhomat e zhveshjes. Sigurisht që do të tregojmë agresivitet në ndeshjen ndaj Rumanisë, por asgjë në kuptimin negativ të fjalës. Agresiviteti dhe vendosmëria janë disa nga cilësitë e rëndësishme të kësaj kombëtareje, e cila, kujtoj, ka një histori shumë të shkurtër për momentin. Por, me vete do të kemi edhe një publik fantastik, gjithmonë pas ekipit. Do të jetë një atmosferë e jashtëzakonshme”.

Në fund, Giresse pranoi se Rumania është favorite në ndeshjen ndaj Kosovës.

“Rumania është favorite në këtë ndeshje. Sigurisht, ju nuk keni futbollistë nga pesë kampionatet më të mira evropiane në skuadrën tuaj tani, ndryshe nga Kosova. Por, ka shumë rëndësi fillimi i ndryshëm në këto preliminare dhe tradita e çdo skuadre, e cila ende luan një rol të rëndësishëm mendërisht”. /Gazeta Express/