Uji Dea

Giresse: Jemi në një grup që s’është prej më të vështirëve, do ta kërkojmë kualifikimin në Euro 2024

/ 3 minuta lexim

Selektori i Kosovës, Alain Giresse ka folur për fillimin e kualifikimeve për Euro 2024.

Trajneri francez thotë se “Dardanët” nuk janë në një grup të çeliktë, por që assesi nuk bën të nënçmohen kundërshtarët e tyre në këtë kampanjë kualifikuese.

Ai kërkon angazhim maksimal të lojtarëve për të arritur rezultate të pëlqyeshme duke nisur nga dy ndeshjet e marsit, ndaj Izraelit në udhëtim dhe kundër Andorrës në shtëpi, shkruan “Gazeta Express”.

Natyrisht, Giresse nuk e fsheh as dëshirën dhe ambicien për ta kualifikuar Kosovën në Kampionatin e ardhshëm Evropian.

“Ajo çka mund të them është se kemi mundur të qëllonim në një grup shumë më të vështirë, edhe pse nuk po them se ky në të cilin jemi, është i lehtë. Qëllimi është që në këtë grup ta japim maksimumin, pasi grupi nuk është më i vështiri, mund edhe të kualifikohemi. Por, ajo që duhet ta bëjmë është që ta instalojmë ambicien në kokën e lojtarëve, nuk duam të vendosim limite të objektivave tanë. Duhet të jemi të vetëdijshëm me mundësinë që e kemi përpara, me mundësinë që po na jepet dhe që secilën lojë ta luajmë me maksimum angazhim dhe me maksimum ambicie”, deklaroi fillimisht trajneri francez në konferencë për shtyp.

“Pra, jemi në një grup që nuk është i vështirë, por në të njëjtën kohë janë përfaqësuese që nuk duhet të nënçmohen. Një grup që na jep ambicie për të shkuar më tej dhe prandaj jemi edhe këtu. Kjo është pikëpamja ime për grupin”, shtoi Giresse.

Ai më pas foli për kundërshtarin e parë, Izraelin.

Fidanishtja

“Izraeli e ka një ekip mjaft të mirë në aspektin teknik. Është një ekip që e bën një lojë të bukur dhe që gjithmonë mundohet të ndërtojë diçka. Është një lojë e tyre që nisë të ndërtohet nga fillimi, e jo me topa të gjatë. Me lojtarë që pak a shumë e kanë vlerën e njëjtë në përfaqësuesen e Izraelit. Ka karakteristika të caktuar në këtë ekip. Nuk do të flas për këto karakteristika pasi nuk dua që ata ta dinë se për çka po flasim ne. Ka lojtarë mjaft të rrezikshëm si Solomon, që luan në Fulham”, vazhdoi Giresse.

Sipas tij, Kosova i ftoi 25 futbollistë, por që dy do të mungojnë, pra Rashani dhe Bislimi.

Ai do t’i presë lojtarët që nga sot, kur do të nisë grumbullimi i Verdhekaltërve, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri francez pret rezultate pozitive këtë muaj, për ta nisur sa më mbarë kampanjën kualifikuese të Euro 2024.

Ai foli edhe për lojtarët e rinj që i provoi në muajin nëntor, por që thotë se nuk ishte momenti i duhur për t’i ftuar në këtë periudhë aq të rëndësishme.

“Kemi lojtarë që po i provojmë, por që nuk janë gati. Jemi në një fazë që nuk mund të bëjmë prova, nuk kemi guxim në këtë fazë. Mos mendoni se lojtarët që po kalojnë momente të mira me klubet e tyre, nuk do të surprizohen me ndeshjen kualifikuese, që janë mjaft të rënda në peshë. E kemi një sy tek këta lojtarë, por do t’i marrim dhe promovojmë kur të vjen koha”, përfundoi Giresse. /Gazeta Express/