Gërxhaliu: Trepçës do t’i kthehet nami

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, me bashkëpunëtorë ka qëndruar të premten në Mitrovicë, me ç’rast ka vizituar kombinatin Trepça në Stan Tërg. Gërxhaliu me këtë rast ka thënë se zhvillimi i Trepçës do të sjellë stabilitet në këtë pjesë të Evropës dhe Ballkanit dhe se Trepça nuk do të mbetet peng i borxheve inekzistente por do të jetë promotore e zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, Kosovës dhe më gjerë.
Ai ka shtuar se Trepça nuk ka me qenë ajo e viteve të mëparshme e cila ka punësuar mijëra veta, por do të jetë e përshtatshme me tregun e punës. “Trepçës i duhet Kosova, por edhe Kosovës i duhet Trepça, ajo nuk mund të jetë peng i borxheve inekzistente dhe për këtë institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të qarta”, ka thënë i pari i OEK-ut.
Sipas tij, Oda Ekonomike e Kosovës do të angazhohet që me të gjitha kapacitetet e saj ta ndihmojë Trepçën duke i ofruar bashkëpunim me ndërmarrje ose kompani të huaja.
“Në tregun botëror që ekziston sot nuk ka dashuri, por ka vetëm interes dhe ne besojmë se me përkrahjen e të gjithëve sidomos pas miratimit të ligjit për Trepçën që atë e kthen në ndërmarrje publike, asaj do t’i hapet perspektiva evropiane dhe botërore”, është shprehur Gërxhaliu, sipas të cilit, Trepça do të jetë promotor i stabilitetit të kësaj pjese të Ballkanit…(Tribuna).