Gërxhaliu kërkon të lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti: Qeveria të garantojë rimburësimin

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu në një prononcim për Ekonomia Online ka vlerësuar se situata sociale në Kosovë nuk është në nivelin e duhur, kjo për faktin se jeta e qytetarëve është duke u vështirësuar vazhdimisht.

Madje, ai tha se nuk ka as rritje të pagave në sektorin publik e privat, andaj qytetarëve u duhet ndihma nga shteti për tërheqjen e kursimeve në Trustin Pensional.

“Situata sociale në Kosovë vërtetë nuk është në nivelin e dëshiruar. Raportet e dëshmojnë një situatë kritike sepse kemi një varfëri dhe inflacion të paparë dhe jeta e qytetarëve të Kosovës është e vështirësuar. Kësaj i shtohet fakti se nuk kemi rritje të pagave qoftë në sektorin privat dhe atë publik”. “Është moment kur institucionet duhet të bëjnë më të mirën që vërtetë qytetarët ja shijojnë dorën e shtetit. Ka modele nga vende tjera, por në Kosovë mungon një debat publiko-privat. Në këtë drejtim shpresa e vetme për qytetarët është tërheqja e kursimeve në Trustin Pensional”.Sipas Gërxhaliut, nëse lejohet që të tërhiqen mjetet nga Trusti, Qeveria duhet që të garantojë riburësimin e mjeteve, raporton EO.

“Kosovarët e meritojnë një pleqëri të lumtur dhe jo një varfëri. Qëllimi i fondit është ta kenë një pleqëri të mirë dhe në këtë drejtim besoj që çdo lojë me Trustin Pensional do të jetë një gabim dhe shqetësim”.“Mund të tërhiqet Trusti Pensional atëherë kur Qeveria garanton rimbushjen e tyre. Duhet Trusti të jetë i garantuar të mbulohet nga shteti. Këto kursime qytetarët t’i shijojnë në pleqëri”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS