Mobi Casa

Gërvalla për masat ndëshkuese të BE-së: Dërgojnë mesazh të rrezikshëm

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, i cilësoi si “të panevojshme” masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës, duke theksuar se ato përcjellin “mesazh të rrezikshëm”.

Blloku evropian kanë paralajmëruar se këtë javë do të shpallin një masash ndaj Prishtinës, për shkak se kjo e fundit, siç ka thënë Brukseli, nuk ka marrë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

“Ne mendojmë që masat e tilla janë të panevojshme për shkak se është shumë e rëndësishme që në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi, mesazhi t’i dërgohet qartë dhe pa asnjë mundësi për keqkuptim atyre të cilët i kanë krijuar trazirat në pjesën veriore të Kosovës, në katër komunat tona”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare tha se këto vendime të Brukselit po dërgojnë “mesazhe të rrezikshme” në Beograd.

“Personalisht mendoj që mesazhe të tilla janë të rrezikshme sepse mund të krijojnë përshtypjen te presidenti serb [Aleksandar] Vuçiq që mund të vazhdojë me të njëjtën mënyrë, të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë fqinjët e tjerë që ka rreth e rrotull”, deklaroi Gërvalla më 30 qershor.

Uji Dea

Në mesin e masave ndëshkuese pritet të jetë pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Po ashtu, është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe ato mund të hiqen në rast se Kosova ndërmerr hapa drejt shtensionimit të situatës.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga fundi i majit. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën më 23 prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

BE-ja i ka parashtruar disa kërkesa Qeverisë së Kosovës për shtensionimin e situatës. Një prej tyre është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit; Kurti që t’i tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga zonat rreth objekteve komunale, ku gjenden aktualisht; kryetarët e zgjedhur shqiptarë, të punojnë përkohësisht në ndërtesa alternative, e jo në ato komunale dhe rikthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi./zeri/