Gërvalla në Londër: Disa në BE s’janë të vetëdijshëm për rrezikun rus dhe serb që i kanoset Ballkanit

Ministrja e Punëve te Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova është përballur me kërcënime me luftë nga Serbia. Ajo tha sot në Samitin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe, se ​Serbia ka miratuar edhe zyrtarisht strategjinë që tha se është një version i riformuluar i “Serbisë së Madhe”, ndërsa theksoi rrezikun nga Rusia në rajon, për të cilin tha se në BE nuk janë mjaftueshëm të vëmendshëm, raporton Gazeta Express.

Shefja e diplomacisë tha se nga kërcënimi serb përfshin gjithë rajonin dhe e vë atë në rrezik të madh.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Serbisë e ka miratuar edhe zyrtarisht një strategji e cila përdor një version të riformuluar të ideologjisë së “Serbisë së Madhe” e cila çoi në katastrofë në Ballkan në vitet e 1990-ta. Në vitin 2021 një zyrtar qeveritar thërret për “Botën Serbe” dhe sërish nacionalizmi serb thotë që të gjithë serbët e rajonit duhet të jetojnë nën sundimin serb, siç tha z. Vulin në verën e këtij viti në prani të z. Vuçiq”, tha Gërvalla.

Ajo tha se faza aktuale është shumë e rrezikshme dhe se kësisoj nevojitet veprim i shpejtë dhe i menjëhershëm.

“Kemi arritur në një fazë që është shumë më e rrezikshme nga sa janë të vetëdijshëm ose të gatshëm ta shohin disa, të paktën në BE. Por nevojitet veprim i shpejtë e i menjëhershëm, si dhe komunikim i qartë me ata që po e kërcënojnë paqen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonin tonë”, tha Gërvalla.

“Po deshëm ta shpëtojmë paqen duhet të veprojmë me mençuri dhe shpejt”, theksoi ajo, duke u shprehur se Mbretëria e Bashkuara do të jetë në anën tonë.

Fjalimi i plotë i Gërvallës:

E nderuara Sekretare Truss,

Të dashur kolegë,

Të nderuar shkëlqesi dhe mysafirë,

Jam me të vërtetë e nderuar të marr pjesë në këtë takim si e ftuar e Mbretërisë së Bashkuar, e cila u bë shpëtimtare e popullit tim në çastin më të errët të historisë sonë; këtë nuk do ta harrojmë kurrë.

Jemi mbledhur këtu sot në një çast tejet vendimtar.

Vendi im, Kosova, ka bërë një kthesë të madhe pas zgjedhjeve në fillim të këtij viti, duke u bërë udhëheqëse e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan. Që kur mori detyrën qeveria e re, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithsej 1,401 raste që ndërlidhen me krime serioze, duke përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne jemi tejet të përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe jemi duke e riorganizuar vendin tonë sipas mënyrës evropiane. Këtë vit kemi parë një rritje rekorde prej 10%, si dhe rritje të deklarimeve tatimore e të të hyrave doganore. Si qeveri kemi një shkallë të jashtëzakonshme miratimi.

Kur përmendim këto zhvillime optimiste, nuk mund të mbyllim sytë ndaj realitetit në lëmenj të tjerë.

Fqinji ynë verior, Serbia, e ka kërcënuar vendin tonë me luftë para pak javësh, duke dërguar automjete të blinduara, trupa dhe bile edhe aeroplanë luftarakë në kufirin tonë, ndërsa ambasadori rus në Serbi iu bashkëngjit trupave dhe e mirëpriti këtë akt agresioni.

Kosova nuk është e vetmja që kërcënohet. Kemi të bëjmë me një përshkallëzim sistematik të retorikës, ku si shembuj të freskët mund të përmendim lëvdimin zyrtar që iu bë kriminelëve të luftës si Ratko Mladiq nga një aleat i afërt i Presidentit Vuçiq, Ministri Vulin, dhe gënjeshtrën e tij e pastër vetëm pak ditë më parë në lidhje me njërën prej masakrave më mizore në Kosovë, masakrën e Reçakut, e cila kishte nxitur një ndryshim të shpejtë në qëndrimin e Perëndimit karshi Kosovës.

E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht. Udhëheqësia aktuale serbe po e rrit në mënyrë sistematike propagandën dhe gjuhën e urrejtjes në kuadër të programit të qeverisë për ta sulmuar Perëndimin dhe NATO-n për ndërhyrjen humanitare dhe për ta barrikaduar Serbinë prapa një qasjeje agresive, përsëri, kundër fqinjëve të saj.

Në këtë drejtim, Qeveria e Serbisë e ka miratuar edhe zyrtarisht një strategji e cila përdor një version të riformuluar të ideologjisë së “Serbisë së Madhe” e cila çoi në katastrofë në Ballkan në vitet e 1990-ta. Në vitin 2021 një zyrtar qeveritar thërret për “Botën Serbe” dhe sërish nacionalizmi serb thotë që të gjithë serbët e rajonit duhet të jetojnë nën sundimin serb, siç tha z. Vulin në verën e këtij viti në prani të z. Vuçiq.

Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, si dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet e tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara; ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia. Vetëm para disa javësh u detyruam të largonim nga vendi ynë dy diplomatë rusë për shkak se përbënin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare.

Kemi arritur në një fazë që është shumë më e rrezikshme nga sa janë të vetëdijshëm ose të gatshëm ta shohin disa, të paktën në BE. Por nevojitet veprim i shpejtë e i menjëhershëm, si dhe komunikim i qartë me ata që po e kërcënojnë paqen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonin tonë.

Po deshëm ta shpëtojmë paqen duhet të veprojmë me mençuri dhe shpejt. Mbretëria e Bashkuara padyshim që do të jetë në anën tonë në këtë betejë për stabilitetit dhe paqe. Dhe për këtë jemi vërtet mirënjohës. Nëse jemi të suksesshëm, do të vazhdojmë me atë që duhet të jetë preokupimi ynë kryesor: bashkëpunimi për të mirën e vendeve tona dhe të qytetarëve tanë.

Faleminderit shumë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS