Gërvalla flet në Këshillin e Sigurimit: Vuçiqi po përgatit agresion ushtarak ashtu sikurse Putini

Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për situatën në Kosovë po diskutohet në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme te Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe rritje rekorde të investimeve të huaja.

“Edhe këtë vit kemi pasur rritje të konsiderueshme derisa agresioni rus mbi Ukrainë preku edhe vendin tonë”.

Ajo ka thënë se Kosova po shënon sukses në sundimin e ligjit.

“Kemi arsye për të shpresuar se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe shumë shpejti do të aplikojmë edhe për anëtarësinë në BE dhe partneritet me NATO-n”.

Gërvalla ka thënë se periudha kalimtare e tabelave të paligjshme shumë shpejt do të kalojë.

“Këto vetura që nuk kanë regjistrim të ligjshëm nuk do të lejohen të dalin në rrugë. Serbia po kërcënon serbët lokal që pranojnë targat e Kosovës. Disa prej veturave të këtyre qytetarëve tashmë janë djegur vetëm pse kanë pranuar targat. Këshilli i sigurimit nuk duhet ta injorojë këtë fakt.

Ministrja e Jashtme thotë se Serbi vite më parë kishte pranuar marrëveshjen për targat, por sipas saj “Serbia si gjithmonë shkel marrëveshjet e arritura. Ne kemi vendosur reciprocitetin, dhe ky nuk është agresion”.

Kosova nuk ka kërcënuar e as destabilizuar situatën, ka vijuar Gërvalla, derisa ka shtuar se Serbia është ajo që kërkon destabilitetin.

“Vuçiqi ka qenë pjesë e propagandës së Millosheviqit”, ka kujtuar Gërvalla derisa ka kujtuar deklaratën e tij për Bosnjën.

“Për çdo serbë të vrarë, do të vrasim 100 myslimanë”.

“Bashkësia ndërkombëtare është alarmuar se ideologjia e “botës serbe” në Ballkan mund të çojë në luftëra të reja. Vuçiqi po përgatit agresion ushtarak në Ballkan ashtu sikurse Putini”, deklaroi tutje Gërvalla.

Ajo ka përmendur manovrat e shumta ushtarake që Serbia ka bërë së bashku me Rusinë viteve të fundit./Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS