Gërvalla e pranon se ka ngecje në procesin e njohjeve të reja
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla ka folur sot për procesin e njohjeve të pavarësisë së vendit, proces të cilin e ka pranuar edhe vet ajo se ka ngecur.
Gërvalla pranoi se çështja e njohjeve ka ngecur, ndërsa tha se ky proces nuk ka ngecur tani por para disa viteve, derisa shtoi se po punohet intensivisht për të siguruar njohje të reja për Kosovën, transmeton Zeri.info.
“Është e vertet që çështja e njohjeve ka ngecur, por nuk ka ndodhur tani por ka një ngecje edhe në vitet e kaluara. Institucionet punojnë në mënyrë të vazhdueshme në baza ditore për njohje të reja, progresin që e kemi nuk mund ta them tani në këto suaza sepse janë tema sensitive të cilat rrezikojmë t’i çojmë në drejtim të gabuar.
Kërkojë durimin tuaj, kur të jenë të dukshme rezultatet me knaqësi të madhe do t’i komunikojmë”, tha Gërvalla në Kuvend.
Kosova njohjen e fundit e ka pasur para një viti nga Izraeli, për çka Gërvalla paralajmëroi vizitë së shpejti për të thelluar mardhëniet mes Kosovës dhe Izraelit.
“Është bërë një vit nga njohja e fundit që ka ndodhur nga Izraeli, në kuadër të shënimit të njëvjetorit të vendosjes së mardhënieve me Izraelin kam pasur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Izraelit dhe të dyja palët jemi angazhuar që përmes vizitës sime që do të jetë së shpejti do të kemi një thellim dhe intensifikim të mardhënieve tona me Izraelin”, tha kryediplomatja kosovare. /Zëri


