Fundamenti

“George Clooney” në Dokufest

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arbana Xharra – George Clooney kishte vendosur të vinte në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar “Dokufest”, që u mbajt në Prizren. Ai u pa fshehurazi në një nga lokalet e këtij qyteti, pa protokoll, madje i shoqëruar nga kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë Edi Rama, i cili me gjasë kishte ardhur t’i marrë një nënshkrim Clooney-it.

Sikur të kishte kaluar rastësisht ndonjë regjisor apo producent i ri atypari, me siguri se do t’i bënte ndonjë ofertë për sezonin e ardhshëm, ta zëmë për të luajtur në ndonjë film në Hollywood. Në fakt, Clooney që po rrinte në çajtore të Prizrenit ishte kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i duket vetja se i përngjan aktorit amerikan Clooney. Së paku kështu para disa vitesh kishte shkruar një mbështetës i tij mediatik derisa po e shoqëronte në një vizitë në Washington.

Në fakt, Thaçi kishte ardhur në qytetin të cilin e ka shkatërruar me persona të përfshirë në korrupsion, e të cilët kanë probleme me ligjin. Njëri ndër ta është vetë kryetari i komunës, një kuadër si kukull prej dylli, i cili, me sa duket, viteve të fundit e ka pasur mision t’i rrjepë e vjedhë qytetarët e Prizrenit. Ramadan Muja, kryetari i Prizrenit, ishte i zgjedhuri i Thaçit.

Një kryeministër që e ka shkatërruar dhe vjedhur një qytet me mekanizmat pothuaj mafiozë të partisë së tij nuk e kishte vendin në festival, as si vizitor madje. Në Prizren ishin tubuar artistë, regjisorë, producentë dhe aty po shfaqeshin filma e dokumentarë që demaskojnë të keqen, krimin, korrupsionin, mafien, padrejtësitë.

Dhe derisa shfaqeshin këta filma, në qytet i shfaq shkaktari i pjesës më të madhe të të këqijave të Kosovës, George Clooney i rrejshëm, ai që për ta kompensuar prapambeturinë e vet i bart këmishët me monogram (H.TH.) dhe i lut këshilltarët e tij ta fotografojnë në avionin e liderit turk Rexhep Taip Erdogan.

Kryeministri i Kosovës e kishte gabuar ditën për të vizituar “Dokufestin”. Atij i ka ikur një dokumentar, i cili tregon realitetin e Kosovës, e cila është kapur nga krimi dhe korrupsioni. Një realitet i shfaqur me fakte, i cili tronditi të pranishmit. Në Kosovën e cila pretendon të bëhet pjesë e Evropës, janë kryer shumë krime, mes tyre edhe trafikimi ilegal i organeve njerëzore.

Hidromorava

“Tales from the organ trade” është një dokumentar prej 82 minutash, të cilin e solli regjisorja Ric Esther Bienstock. U ofruan me këtë rast shumë detaje për trafikimin ilegal të veshkave nëpër botë, sidomos në vendet e varfra të kapura nga mafia. Në atë dokumentar në fokus ishte edhe Kosova me shumë fakte për të, si vend i kapur nga krimi dhe korrupsioni. Kosova krahasohej me Moldavinë, si dy shtete tashmë të kapura nga mafia.

Ky dokumentar, një produksion kanadez, shfaqej në mes të Prizrenit në kinemanë e improvizuar mbi lumë, ku ishin të pranishëm vizitorë nga mbarë bota. Dokumentari solli fakte që po mohohen në Kosovë. E shikuesit e huaj ndoshta nuk e dinë se mjekë të përfshirë në këtë skandal ende punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Xhirimet ku flitej për Kosovën dhe rastin e famshëm “Medicus” mbi tregtinë ilegale me veshkë, ku kanë qenë të përfshirë ndërkombëtarë dhe vendorë, i mungonte një detaj: “lidhjet e krimit me politikën”.

Ndonëse në sy të të pranishmëve u servua një shtet, ku kriminelët pa problem kryejnë punët e tyre, aty ku me vite të tëra pa një “therrë në këmbë” është bërë tregti me veshka. Vetëm falë një prokurori të guximshëm të EULEX-it disa prej përgjegjësve morën dënimet e merituara derisa hetimet për nivele të tjera politike të afërta me George Clooney e rrejshëm po vazhdojnë.

Dokumentari fillon me burrin nga Amerika, që vjen në Kosovë për të gjetur shpëtimin duke marrë veshkën e një gruaje nga Moldavia, e cila është paguar vetëm 12 mijë euro dhe dhjetëra mijëra të tjera janë futur në xhepat e kriminelëve, të afërt e të largët me pushtetin e tanishëm. Kosova radhitet në këtë film me vendet ku ka lulëzuar kjo tregti. Ajo çfarë nuk e mësuan të pranishmit ishte se spitali tashmë i njohur e famëkeq “Medicus” është pronë e njerëzve të afërt të George Clooney-it të Kosovës