Gentiana Shabani aktualizon skenën politike në Luginë, kërkon ura lidhëse

Gjilan – Të mërkurën koordinatorja e zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njëkohësisht kryetare e Lëvizjes “Vatra” Gentiana Shabani, vizitoi zyret e Partisë për Veprim Demokratik, ku u prit nga kryetari i PVD – së Riza Halimi bashkë me kryetaren e degës së PVD – së në Preshevë Ardita Sinanin. Shabani gjithashtu e ka takuar edhe Leme Xhemën nënkryetare e Medvegjës e cila i ka dhënë kuptim logjik e përmbajtësor angazhimit politikë në skenën e Luginës.
Në këtë takim temë diskutimi ishin problemet jetësore të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëbuar gjatë konflikteve të armatosura të vitit 1999 dhe 2001, e në veçanti problemet që ata i hasin gjatë nxjerrjes së dokumentacionit personal si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.
Koordinatorja kërkoi bashkërendimin e veprimeve mes spektrit politik në Kosovën Lindore dhe krijimin e urave lidhëse mes “Zyrës për Kosovë Lindore dhe spektrit politik në Kosovë Lindore.
Në fund të këtij takimi të pranishmit u dakorduan që këto problematika si dhe shumë çështje tjera të ndjeshme të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë, të trajtohen edhe në instancat më të larta të Kosovës dhe të Serbisë./rajonipress/