Gecaj: Qosja po punon për ta dërguar Kosovën drejt vëllavrasjes
Zëvendësministri i MAPL-së Bajram Gecaj e ka quajtur shkrimtarin Rexhep Qosja si person që ka fobi LDK-në.
Ai ka shkruar në Facebook se Qosja po i fryn zjarrit edhe në Kosovë për një revolucion, që Gecaje ka quajtur të dështuar.
Sipas tij, Qosja me këto veprime po bënë thirrje për një konflikt vëllavrasës në Kosovë, transmeton Indeksonline.
Ky është shkrimi i plotë i Gecajt në Facebook:
LDK-fobisti Rexhep Qosja
Është jashtëzakonisht intriguese se si një akademik, tani e 26 vite, nuk mund të tejkaloi fobinë e tij ndaj LDK-së. Deri dje përkrahës deri në servilitet i PDK-së, sot kundërshton madje edhe ata, vetëm e vetëm pse këta të fundit kanë hyrë në një koalicion me LDK-në. Është mu ky akademik i cili i “fryu” zjarrit në “revolucionin e vonuar demokratik” në Shqipëri, e që atëherë rrezikoi edhe qenien e shtetit shqiptar.
Tani, përsëri po e bën të njëjtën, duke i fryrë zjarrit për edhe një “revolucion të vonuar demokratik” në Kosovë, e për ta dërguar edhe Kosovën drejt një konflikti vëllavrasës. Edhe pse u instalua një herë në mënyrë artificiale në skenën e atëhershme politike, duke u shndërruar kështu në një element përçarës në mes LDK-së dhe UÇK-së, megjithatë, nuk arriti të legjitimoi LBD-në e atëhershme në zgjedhjet pasuese, pasi që arriti të siguroi vetëm 0.4 % të votës popullore.
Për gjithsecilin intelektual të kthjellët, ky do të ishte mesazh shumë i qartë se politikën dhe çështjet nacionale duhet lënë të tjerëve. Por ai ende vazhdon të fantazojë se është “babai i kombit”, dhe se është populli dhe jo ai që ka gabuar. I themi këtij urrejtësi patologjik se fobinë e tij mund ta shëroj vetëm nëse mbyllet në kabinetin e tij dhe merret me atë për të cilën është trajnuar./Indeksonline/


