UBT

Gazetat po “vdesin”, ua zënë vendin portalet!

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gazetat gjithnjë e më shumë janë duke humbur terren në tregun mediatik në Kosovë. Viteve të fundit ka pasur rënie drastike të tirazhit të gazetave, ndërsa është shtuar lexueshmëria në portalet informative.

Së fundmi, gazeta Express ka shuar edicionin e botuar në letër dhe ka njoftuar se do të vazhdojë të funksionojë vetëm në online. Përqendrimi tek gazetaria në internet vlerësohet se është pasojë e zhvillimit të jashtëzakonshëm të internetit dhe tendencës së botës së biznesit për të reklamuar në portalet informative.

Portalet, adresa përfundimtare e informimit?

Kreatori i njohur, Fisnik Ismaili, vlerëson se konsumatori mediatike thotë fjalën e vet në këtë rast. Sipas tij, ky trend në Kosovë është duke e përcjellë atë që është duke ndodhur në krejt botën.

“Në një studim që është bërë para një viti, është parë së më së poshtmi kishte rënë gazetaria e shtypur, ndërsa në rend të parë ishte gazetaria online.Gjenetikisht e kemi të trashëguar që të lexojmë në letër, prandaj nganjëherë diçka që e lexojmë në ekran – e printojmë. Por, gazetaria online do t’i detyrojë gazetarët që ta ndërrojnë mënyrën e të shkruarit, duke shkruar shumë më shkurt”, ka thënë Ismaili për Telegrafin.

Kryeredaktori i gazetës Express, Leonard Kerquki, thekson se mbyllja e edicionit të printuar të gazetës është një vendim strategjik i drejtuesve të mediumit.

“Ne duam që paratë dhe stafin profesional t’i orientojmë plotësisht në portal. Sipas statistikave të fundit, rreth 17 për qind e popullsisë informohet përmes internetit dhe vetëm dy për qind përmes gazetave. Këtë trend ne nuk guxojmë ta huqim”, ka thënë Kerquki për Telegrafin.

Sipas tij, si çdo risi tjetër, edhe informimi përmes portaleve shihet me skepticizëm.

“Por, përvoja ndërkombëtare na dëshmon se lexuesi i portaleve është shumë më i disiplinuar, informohet më saktë sesa lexuesi i gazetave, i radiove apo televizioneve”, shton Kerquki.

Gjithnjë pran lajmit…

Doajeni i gazetarisë së shkruar, Zenun Çelaj, viteve të fundit e drejton edicionin në internet të gazetës Koha Ditore. Ai thekson se asnjëherë nuk ka ndodhur vdekja e plotë, as e gazetarisë së shkruar, as e gazetarisë me zë dhe me fotografi.

“Edhe gazetaria e shkruar sigurisht se do t’i përshtatet rrethanave. Duhet që më të mos merret me lajme, por me anë të hulumtimeve e të ecë përtej lajmeve”, ka thënë Çelaj për Telegrafin.

Ndërsa, sociologu Artan Muhaxhiri, ka deklaruar për Telegrafin se natyra e mediave në internet ndonjëherë e imponon shpejtësinë dhe thjeshtësinë në prezantimin e lajmeve.

“Për këtë arsye, ato ia përshtatin formatin e informimit lexuesit të tyre tipik, i cili konsiderohet se ka nevojë për t’u njoftuar me thelbin e lajmit. Por, me kohë, këto media gjithsesi do të obligohen të ofrojnë edhe shkrime më përmbajtjesore, analiza, reportazhe, intervista, etj., nëse dëshirojnë t’i zëvendësojnë mediat tradicionale edhe në aspektin kualitativ”, ka thënë Muhaxhiri.

Kryeredaktori i Telegrafit, Agron Shala i cili po ashtu ka përvojë të gjatë në media të shtypura, thotë se portalet kanë arritur diçka që mediat e shtypura nuk kanë mundur ta bëjnë me vite të tëra: rritjen e numrit të lexuesve!

“Njerëzit lexojnë sot më shumë se kurrë. Sepse, nga portalet lajmi shpërndahet më shpejtë e më lehtë. Nëse më herët është dashur ta kërkosh lajmin, ta presësh atë në mëngjes kur dalin gazetat, apo në mbrëmje në TV, tashti lajmi të ndjek ty. Lajmi është pran teje, vetëm një klik ‘larg’. Dhe,ç’është kryesorja, qasja është falas”, thotë ai. “Në portale nuk ekzistojnë kufizimet që e karakterizojnë gazetarinë e shkruar. Aty gjeni llojllojshmëri të temave, kualitet më të mirë të fotografisë, video, zë… Të gjitha informatat janë të arkivuara, ndërsa lexuesi në çdo kohë e në çdo vend ka mundësi qasjeje në këtë ‘bibliotekë’ informative, qoftë përmes kompjuterit, celularëve apo tabletëve. Portalet janë e ardhmja e mediave, sidomos kur merret parasysh hovi teknologjik dhe rëndësia që sot kanëmultimedia dhe mediat sociale”.

Reklamimi online, preferencë e re e bizneseve

Hidromorava

Shala beson se zhvillimi i portaleve do të ndikojë pozitivisht edhe në kualitetin e gazetarisë.

“Me zhvillimin e portaleve, padyshim se stafet do të jenë më të mëdha, lajmet do të jenë më të hulumtuara, e gazetarët edhe më profesionalë. Sepse, shpejtësia kërkon gazetarë të përgatitur edhe në ndërtimin e fjalisë, e po ashtu edhe në drejtshkrim. Pos kësaj, artikujt duhet të ‘tkurren’ në gjërat kryesore: të jetë më të shkurtë, pa fjalë e përshkrime të tepërta, e po ashtu të kombinuara me format e tjera, qoftë tonike apo vizive”, thotë Shala.

Njëri prej themeluesve të Gazetës Express, Berat Buzhala, e komenton faktin se ka njerëz që mbylljen e versionit të shtypur të Expressit e shikojnë me pikëllim.

“Unë këtë hap e shoh jashtëzakonisht të guximshëm, e madje tepër vizionar – ani pse një gjë e tillë është dashur të ndodhë nja dy vjet më parë, ose edhe më herët. Me investu sot në letër – pos nëse nuk është fjala për letër të toaletit- është pak a shumë e njëjtë sikur me vendos me investu për ringjalljen e biznesit të mullinjve me ujë”, ka shkruar Buzhala në Facebook.

Përparësitë e investimit në portale i thekson edhe Gezim Begolli, partner menaxhues për Kosovë i rrjetit global të reklamimit online dhe mobile, httpool, i cili ka kohë që merret me marketingun në media. Ai thotë se trendin e zhvillimit të mediave elektronike e kanë kuptuar edhe kompanitë të cilat po fokusohen çdo herë shumë në reklamimin përmes portaleve informative.

“Klientët tanë, buxhetet që deri dje i kanë ndarë për reklamime në gazeta, tashti i orientojnë në portale. Në Kosove janë mbi 850 mijë përdorues të internetit, që paraqesin rreth 45 për qind të popullsisë. Pra, kjo shtrirje e internetit na bënë ta kuptojmë potencialin e përçimit të mesazhit online”, thotë Begolli.

Lajm nuk është themelimi, por shuarja e gazetave

Njohësit e tregut medial në Kosovë theksojnë njëzëri se kalimi në gazetarinë online është trend i cili ka nisur më herët në vendet perëndimore.

Më 2012, për herë të parë në historinë e saj (që nga viti 1851), ditorja e njohur amerikane “The NewYorkTimes” ka fituar më shumë nga lexuesit sesa nga reklamuesit. Të ardhurat janë rritur për 10.4 për qind, në 952.9 milionë dollarë, kryesisht për shkak të rritjes së abonuesve të edicioneve online.

Ndërkohë, në dekadën e fundit, edhe tirazhi i gazetave të përditshme gjermane ka rënë për pesë milionë: nga 23.7 milionë kopje në vitin 2001, në 18.4 milionë në vitin 2012.

Kudo nëpër botë, gazetat e shkruara kanë aplikuar një version në internet, duke u përpjekur të mos humbin hapin gjatë krijimit të tregut të mediave elektronike. Ka pasur vazhdimisht raporte se fitimet nga edicionet online kanë qenë më të shumta sesa prej edicioneve të shkruara. Kjo i ka shtyrë drejtuesit e kompanive që gjithnjë e më e më shumë të investojnë në variantin e tyre elektronik.

Kështu, lajm në botë nuk është më hapja e një gazete të re, por mbyllja e një gazete të vjetër. Zhvillimi i shtypit online, dhe i marketingut online, i ka mbyllur gazetat që kanë mbijetuar për më shumë se 140 vite. Fat të tillë kishin: “TucsonCitizen” (1870 – 16 maj 2009, tirazhi i numrit të fundit: 17.000), “RockyMountainNews” (1859 – 27 shkurt 2009, me tirazh deri në 704.806 kopje), “The BaltimoreExaminer” (2006 – 15 shkurt 2009, gazetë që është shpërndarë falas, me tirazh deri në 236.000 kopje në ditë), “The Cincinnati Post (1881 – 31 dhjetor 2007), “KingCountyJournal” (2002 – 21 janar 2007), “The HalifaxDailyNews” (1974 – shkurt 2008), “The Albuquerque Tribune” (1922 – 23 shkurt 2008, tirazhi i numrit të fundit: 10.000), “SouthIdahoPress” (1904 – 2008, tirazhi i numrit të fundit: 4.112), “The San Juan Star” (1959 – 29 gusht 2008), “The Honolulu Advertiser” (1856 – 6 qershor 2010, me tirazh deri në 160.000).

Rruga e pashmangshme…

Duke qenë të vetëdijshëm se fatin e tillë do ta kenë edhe mediat tjera, më 5 mars 2007 hapet bllogu “Roja e gazetave të dënuara me vdekje” (newspaperdeathwatch.com). Në këtë faqe mund të shihen edhe titujt e disa gazetave tjera që do ta kenë fatin e njëjtë, apo që shpëtimin e kërkojnë përmes edicioneve online.

Themelues i bllogut është PaulGillin, autor i shumë librave, i cili i ka kaluar 25 vite në gazetari (që nga viti 1999 në versionin online).

“Përvoja më ka mësuar se lëvizjet tektonike që po ndodhin në mediat botërore, do të shkatërrojnë 95 për qind të gazetave kryesore metropolitane amerikane”, thotë ai. “Në fund të fundit, kjo rënie e dhimbshme do të lindë një model të ri të gazetarisë… Jam optimist dhe mendoj se gazetaria e re do të jetë në shumë mënyra më e mira se ajo që ka paraprirë. Por, shkuarja deri atje do të dhemb shumë”, thotë Gillin. /Agim Fazliu/Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.