Gazetat gjermane, pak vëmendje për takimin Merkel – Mustafa
Pritja që i bëri kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, të martën, në Berlin, ka marrë pak vëmendje nga gazetat e përditshme gjermane.
Të përqendruara në masën më të madhe te zhvillimet rreth krizës greke, si dhe tek çështjet e sigurisë, një numër i së përditshmeve gjermane, përfshirë “Süddeutsche Zeitung” dhe “Frankfurter Rundschau”, në edicionet e tyre të shtypura kanë injoruar tërësisht takimin Merkel-Mustafa, derisa gazeta e renomuar “Frankfurter Allgemeine Zeitung” si dhe “Die Welt”, kanë dhënë lajme krejt të shkurtra rreth vizitës së delegacionit kosovar në Berlin.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në lajmin e botuar për takimin, është përqendruar te porosia që kancelarja Merkel e kishte për azilkërkuesit kosovarë në Gjermani, të cilët ajo tha se “nuk mund të marrin azil”. FAZ po ashtu vëren shkurt edhe porosinë e Merkelit për Mustafën, por edhe për kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, se afrimi i dy vendeve me BE-në varet nga suksesi i dialogut në Bruksel.
Dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për të pasur gatishmëri për kompromise tek të dy anët, janë porosia e Merkelit që ka zënë vend në lajmin e shkurtër nga gazeta “Die Welt”.
“Është koha po ashtu që të bëhen edhe kompromise”, citohet Merkel nga “Die Welt”.
Ndërkohë, çështjet e tjera të diskutuara, përfshirë krijimin e Gjykatës Speciale dhe zhvillimin ekonomik, nuk janë përmendur fare nga të përditshmet gjermane, ndërsa në edicionet e shtypura të gazetave ditore të së mërkurës – ballinat e të cilave janë dominuar nga pritja e kolapsit grek – nuk është botuar as një fotografi e vetme nga takimi Merkel – Mustafa.
http://koha.net/?id=27&l=64664


