Gazetarët përballen me kërcënime dhe shantazhe
Në ditën Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, në Kosovë temë shqetësuese ende mbetet siguria e gazetarëve. Në raportin e organizatës Freedom House për lirinë e medieve në botë, të publikuar dy ditë më parë, Kosova edhe këtë vit është radhitur në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Madje, sipas organizatës me seli në SHBA, Kosova ka shënuar një hap prapa.
Gazetarët, në shtetin e ri të Kosovës, vazhdojnë të përballen me kërcënime, frikësime e forma tjera të pengimit të tyre në punë, ndërsa disa prej tyre, kanë qenë objekt edhe të sulmeve fizike, transmeton “KosovaPress”.
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës Dona Lluka-Gashi ka thënë se 3 maji është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të të drejtës së shprehjes së lirë që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.
Sipas saj të shprehesh lirë, të flasësh të vërtetën dhe të thuash atë që sheh, të ndryshosh atë që të është imponuar dhe të kërkosh atë që të përket ty, kjo është liria dhe të tillë, lirinë e duan secili.
“Të gjithë gazetaret kudo ne bote, pa dallim ngjyre, race, përkatësie dhe gjuhë, kanë një mision, informimin. Ky mision i shenjt, duhet të jetë shtyllë demokracie dhe besimi edhe për vendet në zhvillim si Kosova jonë. Le të përcjell kjo ditë mesazhin e pastër të lirisë së vërtet dhe fuqisë së demokracisë për këtë profesion”, ka thënë Lluka-Gashi.
Në anën tjetër gazetarët thonë se janë vazhdimisht duke u përballur me kërcënime të formave me të ndryshme.
Gazetari i RTK-së Gëzim Bimbashi është shprehur se gazetarët kosovar janë përballur me kërcënime që kanë qenë të formave të ndryshme.
“Gazetarët kosovarë nuk e kanë pasur të lehtë as këtë vit meqë janë ballafaquar me shumë kërcënime, me shumë dhunë e cila vjen me interesa të ndryshme klanore, mafioze ose politike”, ka thënë gazetari Bimbashi.
Në rastet kur gazetarët janë kërcënuar Policia e Kosovës është dashur disa herë t’i dalë në mbrojtje gazetarëve të kërcënuar.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se ka pasur disa raste kur gazetarët është dashur të shoqërohen nga policia në kryerjen e punës së tyre.
“Policia e Kosovës është mjaftë e përkushtuar që t’ju dal në ndihmë të gjithë personave zyrtarë në të gjitha rastet qofshin ato në pengim të kryerjes së detyrës zyrtare apo sulm në kryerje të detyrës zyrtare duke përfshirë edhe vetë gazetarët”, tha Kelani.
Vetëm gjatë këtij viti, në Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës janë raportuar 24 raste të gazetarëve të penguar në punë. /Telegrafi/


