RCCOLA

Gati për Evropë

/ 3 minuta lexim
KKVITI

FC Prishtina iu bashkua Feronikelit, duke u bërë skuadra e dytë kosovare që do ta përfaqësojë futbollin kosovar në edicionin e ri në garat evropiane. Bardhekaltrit ia dolën ta mposhtin Dritën në finalen e Kupës së Kosovës të shtunën, 2:1, për ta prerë një biletë në Europa League, si fitues i Kupës së shtetit.

Klubi më i madh në vend, e ka festuar këtë sukses të shtunën deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa tash po mendon seriozisht për eksperiencën speciale që e pret në garat evropiane.

Sezoni i Prishtinës i kishte dy fytyra: pjesa e parë ishte e tmerrshme, ndërsa në atë të dytë kryeqytetasit u nxorën me faqe të bardhë, duke iu shmangur fillimisht rënies nga liga dhe barazhit, ndërsa qershia mbi tortë u vendos të shtunën, me rrëmbimin e Kupës së Kosovës.

Presidenti Remzi Ejupi u shpreh i lumtur me këtë sukses historik, duke siguruar se prishtinasve nuk do t’ju mungojë asgjë në sfidat e reja që i presin. “Jam i lumtur që po e mbyllim sezonin në këtë mënyrë. Ishte një sezon i vështirë, por në fund dolëm mirë”, ka thënë fillimisht Ejupi pas ndeshjes.

“Sa i përket organizimit dhe anës financiare, nuk do të mungojë asgjë. Ne i kemi zhvilluar 10-15 ndeshje në Evropë në vitet e fundit, por kjo do të jetë diçka tjetër. Pas pranimit, tash do të angazhohemi maksimalisht, të arrijmë aty ku duhet”, nënvizoi ai.

RCCOLA

Ejupi ka shpjeguar se do të ketë ndryshime të mëdha në klub, duke mos e përjashtuar mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë edhe në shtabin teknik.

“Ne kemi bashkëpunim me klube të mëdha në Evropë. Do të angazhojmë njerëz, të cilët janë përgjegjës dhe kompetent për të na këshilluar se cili trajner i nevojitet Prishtinës. Në 16 vjetët e fundit e kanë pasur rastin të provohen thuajse 90 për qind të trajnerëve. Fadili ka bërë punë të mirë, por mbetet që në ditët në vijim të shohim se si do të veprojmë”, nënvizoi Ejupi, i cili ka premtuar se Prishtina sezonin e ardhshëm do të jetë edhe më e fortë.

Prishtina pasurohet me 200 mijë euro

Përpos që iu shtua edhe një trofe në vitrina dhe që falë tij do të marrë pjesë në Europa League, Prishtina të shtunën e mori edhe lajmin e tretë të mirë. Në fakt, UEFA do t’i shpërblejë prishtinasit me 200 mijë euro, për pjesëmarrje në garat evropiane, respektivisht Europa League.

Prishtina, njëjtë si Feronikeli, i kanë dërguar në UEFA dokumentet e nevojshme për kriteret që është dashur t’i plotësonin dhe shtëpia e futbollit evropian në ditët në vazhdim pritet t’ua japë ‘aminin’ këtyre dy skuadrave për pjesëmarrje në garat evropiane. Ato do ta nisin eksperiencën në Champions League e Europa League kah fundi i muajit qershor dhe brenda kësaj jave do t’i mësojnë edhe emrat e kundërshtarëve në gara evropiane./zeri/