UBT

Gati për bashkëqeverisje

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë disponim për ta finalizuar brenda disa ditësh hyrjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Qeveri. Burime të Gazetës Express thonë se detajet e marrëveshjes do të finalizohen gjatë takimeve kokë më kokë të dy liderëve. Të premten Haradinaj u shfaq i hapur për bashkëpunim, derisa për nder të tij, Thaçi vazhdoi organizimin e pritjeve institucionale.

Ramush Haradinaj nuk e ka mohuar se AAK do të hyjë në bashkëqeverisje me PDK’në.

Për koalicionin me Partinë Demokratike, Haradinaj ka thënë se ende nuk ka ndonjë zhvillim dhe ka premtuar se në momentin që të arrihet diçka do t’i informojë qytetarët e Kosovës.

“Ju thash se një gjë të kemi të qartë, ne kemi marrë përgjegjësi me ndihmuar procese nacionale, procesin e dialogut, në tema tjera nuk ka ndonjë zhvillim, kurdo që të ketë do të kemi kënaqësinë edhe nderin me i ndihmuar qytetarët e vendit edhe ju ”, ka thënë Haradinaj.

Megjithëkëtë, burime të Express brenda PDK’së dhe AAK’së kanë treguar se liderët e dy partive, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, kanë disponim për ta finalizuar brenda disa ditësh marrëveshjen për hyrjen e AAK’së në Qeveri.

Zyrtarë të lartë të dy partive kanë konfirmuar se marrëveshje në parim tashmë ekziston, por detajet do të sqarohen brenda disa ditësh.

“Këtyre ditëve pritet që Thaçi dhe Haradinaj të takohen dhe ta sqarojnë plotësisht këtë çështje”, ka thënë një zyrtar i afërt me bisedimet që po zhvillojnë dy partitë.

Kohëve të fundit, zyrtarët e AAK’së kanë mbështetur nismat e PDK’së, siç është dialogu dhe kanë votuar edhe projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala është emëruar bashkërendues i dialogut Kosovë-Serbi, të cilin e udhëheq Qeveria PDK-AKR.

Haradinaj i cili ka qenë njëri nga kritikët më të mëdhenj të Hashim Thaçit, pas kthimit nga Haga është kujdesur të mos bëjë ndonjë sulm.

Ndryshe, lideri i AAK’së ditën e parë pas lirimit nga Haga e ka nisur me një vizitë te varri i Ibrahim Rugovës dhe përmendorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë si dhe është takuar me Presidenten Jahjaga.

Për nder të tij, Kuvendi ka mbajtur një seancë solemne, ku Haradinaj ka mbajtur një fjalim dhe ka shtrënguar duart me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

Pas seancës, Haradinaj nuk ka dashur të flasë për koalicionin e mundshëm me PDK’në, por vetëm ka konfirmuar gatishmërinë e tij dhe të AAK’së që ta ndihmojnë Kosovën.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë që AAK të jetë pjesë e Qeverisë, megjithëse ka thënë se për këtë temë do të flasë në ditët në vazhdim.

Megjithëkëtë, ish-Kryeministri i Kosovës ka thënë se Kosova ka shumë sfida dhe se vetëm Qeveria nuk mund t’u bëjë ballë.

Ai nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Qeveria pa AAK’në mund t’i tejkalojë problemet që i ka Kosova.

“Nuk kisha dhënë një konstatim të tillë (Qeveria nuk mund t’i tejkalojë sfidat pa AAK’në), mendoj që askush vetëm nuk mundet sfidat që i ka një shoqëri, duhet një mobilizim i gjithë shoqërisë”, është përgjigjur Haradinaj.

Uji Dea

Ai ka falënderuar të gjithë si Presidenten, Kryeministrin, Kryeparlamentarin dhe deputetët për mikpritjen që po ia bëjnë pas lirimit.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se as Beogradi s’ka arsye të zemërohet me lirimin e Haradinajt, por duhet të hidhërohen të gjithë nëse do të dënoheshin të pafajshmit.

Kryeparlamentari ka thënë se festa e 28 Nëntorit është bërë më e bukur dhe madhështore pas lirimit të tre luftëtarëve të UÇK’së.

Krasniqi ka folur edhe për Fatmir Limajn, për të cilin ka thënë se do ta ketë fatin e Haradinajt.

“Shpreh bindjen e plotë se edhe në proceset e tjera gjyqësore të luftëtarëve të lirisë, duke përfshirë edhe këtë të fundit me zotëri Fatmir Limaj me shokë, drejtësia do të fitojë duke shpallur pafajësinë e tyre dhe drejtësinë e luftës së UÇK”, ka thënë Krasniqi.

Para deputetëve, Haradinaj ka premtuar se do të punojë shumë për përmirësimin e kualitetit të jetës dhe qeverisjes në Kosovë.

“Ju siguroj që do të jem shumë i kujdesshëm që të punoj me gjithë ju që të mundemi me krijuar kualitet sa më të mirë në vendin tonë, në demokraci, në funksionim të shtetit gjitha temat që e preokupojnë qytetarin e vendit. Nuk ka me qenë lehtë ashtu siç ka qenë deri tash, sepse e keni edhe një koleg dhe do të punojmë së bashku”, ka theksuar Haradinaj.

VV: Me kënd po hyni në koalicion ?

Lëvizja Vetëvendosje e ka këshilluar AAK’në të mos hyjë në koalicion me PDK’në dhe të mendojë mirë se më kënd po hynë në bashkëqeverisje.

“Paramendoni me kënd po doni me hy në koalicion, me kënd po doni me hy?”, ka thënë Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

Më herët Vetëvendosje pati thënë se AAK nuk duhet të bëhet patericë e Qeverisë dhe të mos e shpëtojë PDK’në dhe Hashim Thaçin.

Sjellje të këqija të policëve në Presidencë

Policët e Kosovës, të cilët kryejnë detyrën e truprojave të Presidentes Atifete Jahjaga, kanë vazhduar me sjellje të këqija ndaj gazetarëve.

Disa prej tyre e kanë marrë rolin e punëtorëve të Protokollit të Presidencës, duke u treguar gazetarëve se ku e kanë vendin, kur në takim me Atifete Jahjagën ka qenë Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj.

Madje, njëri prej ruajtësve të Presidentes ka shtyrë gazetarët.

Kjo nuk është hera e parë, kur policët e mbrojtjes së afërt kryejnë edhe detyra tjera. Kur në Kosovë kishte ardhur Presidenti Bamir Topi, disa prej policëve që e ruajnë Presidenten e patën rrahur keq një qytetar të Prishtinës, i cili kishte kërkuar t’i lirohet rruga.

Zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë thënë se do të fillojnë hetimet për policët që sillen keq në momentin që t’i kanë informacionet e plota nga të dëmtuarit.