UBT

Gashi: Paralajmërimet për sanksione ndaj Kosovës janë shqetësuese

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë sot se paralajmërimet për sanksione të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës janë shqetësuese.

Në Kuvendin e Kosovës, Gashi ka pyetur kryeministrin Kurti se çfarë borxhi i ka Kosova që t’ia bëjë këtë dëm.

“Ajo çka kemi dëgjuar dhe pa ditëve të fundit është shqetësuese për neve. Paralajmërimet për masa shtrënguese për institucionet e Kosovës, ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës… Nëse janë të vërteta këto, atëherë ky është dëmi më i madh që i bëhet Kosovës dhe këtu lind pyetja se çfarë borxhi ka Kosova që me ia bërë këtë dëm”, ka thënë ai.

UBT

Gashi ka shtuar se rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të vendit, është agresion ndaj sovranitetit të Kosovës.

Megjithatë, ai ka thënë se kërkesa e kryeministrit Kurti për përfshirjen më të madhe të KFOR-it për mbrojtjen e kufijve mund të prodhojë pasoja negative për vendin.

“A jeni të sigurt se po kërkoni angazhimin më të rëndësishëm të KFOR-it në kufijtë e Kosovës dhe pjesët veriore të Kosovës. A jeni të sigurt se çfarë pasoje prodhon kjo dhe a jeni të sigurt se me gjendjen që po krijohet në veri, mund të kemi kërkesë nga KFOR-i të largimit të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës nga veri. Ky do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, ka shtuar ai.