Gashi: Nuk ka marrëveshje koalicioni LDK-PDK

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, që ishte pjesëmarrës në takimin mes liderëve të LDK-së dhe PDK-së, Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, ka mohuar zërat se në atë takim është arritur ndonjë marrëveshje për koalicion mes këtyre dy subjekteve politike.
“Unë isha pjesëmarrës ne takimin Isa Mustafa LDK me Hashim Thaci PDK, dhe deklaroj: nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje LDK me PDK”, ka shkruar Arben Gashi në një postim në Facebook.
“Mediat të ndalin spekulimet e pabazë lidhur me takimin e Mustafës me Thaçin lidhur me datën e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore. Nuk ka kurrfarë marrëveshje me Thaçin për bashkëqeverisje. Biseda ka qenë për të dakorduar hapat për reformë zgjedhore dhe afatin e zgjedhjeve, asgjë tjetër”, shkruan Gashi.
“A mendoni se Thaçi do të ishte takuar ne opozitën nëse do të ishte i sigurte se nuk do të shkarkohet me mocionin e votëbesimit?”, ka pyetur Gashi
“Është në interesin e Kosovës që zgjedhjet të jenë të përgatitura mirë, sepse LDK dëshiron të ofrojë qeveri kredibile të pakontestuar për mandat të plotë. Prandaj duhen bërë përgatitjet e duhura dhe me kohë, përfshirë vëzhguesit ndërkombëtarë në çdo qendër votimi”, ka shkruar Gashi në Facebook. /Telegrafi/