Gashi: E kaluara e tij, ia pamundëson Thaçit zgjedhjen President

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk duhet të jetë president i vendit për shkak të kaluarës së tij.Arsye të tjera, sipas Gashit, janë edhe “veprimeve që ka ndërmarrë (Thaçi) dhe për shkak të raportit të Dick Marty-t”.
Megjithatë deputeti i LDK-së ka thënë se nuk është as për mënyrën se si po vepron opozita.
“Mënyra e të vepruarit e opozitës, është e gabuar. Nuk të lejon të qëndrosh në mes, të detyron të jesh pjesë e një blloku. Në të ardhmen të gjitha partitë politike nuk duhet të kenë vija të kuqe për asnjë parti tjetër sa i përket lidhjes së koalicioneve. Përputhje në programe partiake, por jo vija të kuqe për shkak të inateve”, ka thënë Gashi në Zona B të Klan Kosovës.
Sipas tij, klima e tensionuar politike në të cilën gjendet sot Kosova e bënë të diskutueshëm edhe opsionin e të shkruarit në zgjedhje.
Megjithatë Gashi situatën e tanishme refuzon ta quajë krizë politike.
“Krizë politike nuk ka. Situata në Kuvend nuk është e tillë sa të mos mund të merren vendime. Nuk ka krizë politike, por vetëm bllokadë politike. Një situatë krize politike, ka kur Kuvendi s’ka kuorum për marrjen e vendimeve, por jo edhe kur pakica bllokon fizikisht punën”.
“Prandaj opozita nuk ka të drejtë, nuk mund të bllokohet kuvendi në këtë mënyrë”.
“Në qoftë se përdorimi politik që po e merr në konsideratë opozita është dhuna fizike, aty bëhet distanca mes nesh. Nuk jemi për dhunë”.
“Në qoftë se hidhet gaz në sallë dhe nëse bëhet dhunë ndaj deputetëve, s’mund t’i bashkohem asnjë kauze”, pohoi Gashi.
Gashi tha se pamjet dhe dhuna e shfaqur kohëve të fundit ka shqetësuar edhe vendet që kanë qenë mbështetësit kryesore të Pavarësisë së Kosovës.
“Kemi pasur vizita në Parlamentin, Komisionin dhe Këshillin Europian dhe në këto takime ka pasur disa tema kryesore që janë diskuar. Ata na kanë thënë se Kosova nuk mund të lejojë këtë situatë, dhe se pamjet e kohëve të fundit janë diskurajuese”, ka thënë Gashi.
“Këto i kanë thënë në takimet që kemi pasur me anëtarët e Parlamentit Europian që vinë nga Partitë Popullore. Ata janë shumë të shqetësuar”.
“Edhe me takimet e tjera si me komisionerin Johanes Hahn ishte temë kryesore dhuna në Kosovë, e cila ka shkaktuar pasoja”
“Përkrahësit e Kosovës janë shndërruar në abstenues, kurse abstenuesit në kundërshtarë. Koktejet e molotovit dhe hedhja e veve janë përmendur, po ashtu në mënyrë specifike”.
“Ka shqetësim edhe nga vendet përkrahëse, siç janë Gjermania për shembull , po ashtu edhe në Francë edhe në Austri dhe në Holandë”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se “vendet më problematike në përkrahje të Kosovës janë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Ose nuk marrin pjesë fare në votime ose abstenojnë. Mirëpo tani po marrin pjesë në një numër të madh, dhe po votojnë kundër”.
“Shqetësimi që kemi është lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe proceset që po ndodhin në Kosovë dhe të njëjtin shqetësim ndajnë edhe krerët e BE-së. Është thënë haptazi se Kosova nuk duhet t’i lejojë vetes dhunë”.