Fidanishtja

Gashi: Amnistia kalon, LDK s’ka përafrim me PDK-në

/ 3 minuta lexim

Interesi i Kosovës është që Projektligji për amnisti të kalohet, dhe LDK-ja është duke u angazhuar që ai projektligj të kalojë. Kështu ka thënë Arben Gashi, anëtar i kryesisë së LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Legjislacion në Kuvend.

Gashi ka thënë se në situatën në të cilën jemi, kushtet paraprake për aprovim të këtij ligji janë shpenzuar dhe besoj se tash jemi në situatë ku ne duhet të kalojmë në veprime konkrete dhe ta aprovojmë ketë ligj.

“Ka njerëz që kanë ndarë opinione të ndryshme për këtë Ligj, mirëpo e rëndësishme është që ne të marrim një vendim, dhe vendimi të jetë në interes të qytetareve të Kosovës. Është e vështirë të marrësh një vendim të tillë dhe situata e tillë është krijuar që simpatia popullore fitohet nëse kundërshton ketë Ligj, mirëpo interesi i Kosovës është që ky Ligj të kalohet, besojmë që është interesi i Kosovës që ky Ligj të kalohet dhe po angazhohemi që ky Ligj të kalojë”, ka thënë Gashi për Radio Evropa e Lirë.

Gashi ka theksuar se vërejtjet e subjektit politik që ai i takon, janë përfshi 100 për qind në Ligj dhe, sipas tij, LDK është e kënaqur me përfshirjen e vërejtjeve të saj, “mirëpo duhet ta dimë se Ligji i tillë është një produkt i një kompromisi dhe kompromisi gjithmonë është lëshim i dyanshëm”.

RCCOLA

Duke folur për zgjedhjet e tre nëntorit, deputeti Gashi ka thënë se LDK i ka pasur shqetësimet e veta se nëntori është kohë e papërshtatshme për t’u mbajtur zgjedhjet, mirëpo u krijua kjo situatë dhe ne duhet të marrim pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

“Ne nuk kemi përafrim me Partinë Demokratike të Kosovës, ne shkojmë si subjekt i veçantë në zgjedhje dhe besoj që do të jemi subjekt kryesor në këtë proces zgjedhor dhe do të dalim si subjekt i konsoliduar dhe subjekt i cili do të marrë përgjegjësi për qeverisjen e Kosovës në nivel komunal, në shumicën e komunave të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Ai ka ripotencuar se “sa i përket spekulimeve për përafrim të PDK-së me LDK-në, këto janë të pavërteta dhe unë e di që ka qëndrim zyrtar të LDK-së, se LDK-ja nuk ka koalicion me asnjë parti, nga partitë e mëdha po flas këtu, dhe orientimi është që Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë partia e parë në Kosovë dhe të qeverisë në vend”.

“Ky është orientimi strategjik i LDK-së dhe qëndrimi dhe angazhimi ynë, që LDK-ja të jetë parti fituese dhe të drejtojë vendin”, u shpreh Gashi në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. /Telegrafi/