RCCOLA

Gara në mes të Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit do të jetë interesante

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gara e cila pritet të zhvillohet për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas analistëve politikë, përveç se do të jetë interesante, ajo do të jetë një model për subjektet tjera politike, për shkak se aty pritet sipas tyre, që shefi aktual i partisë, Isa Mustafa, të sfidohet fuqishëm.
Petrit Zogaj, nga “Lëvizja Fol”, ka theksuar se gara e cila pritet të mbahet brenda LDK-së, për të parin e partisë, është shumë e dobishme për partinë dhe skenën politikë kosovare, sepse një garë të tillë nuk e kemi hasur nëpër subjektet tjera politike.

Ai ka thënë për Telegrafin se kemi të bëjmë me një garë, të dy personave të cilët mbajnë pozicione të kundërta politike, duke shtuar se në këtë garë pritet të ketë kandidat që janë kundër koalicionit qeveritar PDK- LDK.

“Ndonëse kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka konfirmuar se synon që përsëri të marr timonin e partisë, gjë e cila do t’ia mundësoj ta drejtoj edhe rrjedhën e garës, pasi që është edhe shef i ekzekutivit kosovar, vlerësoj se kjo frymë e garës është mirë të përcjelljet edhe te pjesa tjetër e politikës kosovare”, ka theksuar Zogaj.

Ai ka thënë se kjo frymë i jep LDK-së një qasje te re, duke shtuar se në “subjektet tjera politike ka një paternalizëm të theksuar të liderit”.

“E kemi rastin e PDK-së, LVV-së AAK-së. Lideri madje vendos edhe për pasardhësin e tij, se kush do të jetë ai. Kjo çfarë pritet të ndodhë, është mirë që po ndodh, dhe mund të jetë si referencë për partitë tjera”, ka shtuar Zogaj.

Në anën tjetër, analisti Shpend Kursani, duke folur për atë se sa e fuqishme do të jetë gara për pozitën e shefit të LDK-së, ka thënë së nuk mund të thotë asgjë, por se do të jetë një garë shumë interesante, nuk vihet në dyshim.

Eco Higjiena

Ai ka thënë për Telegrafin se në qoftë se Vjosa Osmani kandidon për ta marrë postin e të parës së LDK-së, do të përballet me Mustafën i cili ka ende shumë nënshtrues në parti, të cilët e besojnë atë më shumë se që i besojnë vetës së tyre.

“Kështu që ky mentalitet nënshtrues brenda LDK-së do ta sfidojë më së shumti Vjosa Osmanin. Sa i përket asaj se a do të shërbej një garë e tillë brenda LDK-së, si shembull për partitë tjera, mund të them se LDK-ja është e vetmja prej partive të mëdha në Kosovës, që edhe më herët ka zbatuar kulturën e kandidimit të më shumë se një kandidati, dhe kjo ishte dhe është mjaftë e mirë për një frymë demokratike”, ka theksuar ai.

Sipas tij, asnjëra nga partitë tjera të mëdha nuk e ka zbatuar kulturën e kandidimit të më shumë se një kandidati në procesin e brendshëm zgjedhor.

“Shembulli që do të mund ta reflektojë kandidimi i Vjosa Osmani, në këtë garë, për partitë tjera, është ajo se për herë të parë një grua sfidon kreun e një partie në Kosovë, e që ndoshta do të mund ta binte një atmosferë të re në parti, jo vetëm se është grua, por edhe do të mund ta sjellë një frymë më reformuese”, ka shtuar Kursani.

Ndryshe, të mërkurën Isa Mustafa për herë të parë, ka deklaruar publikisht se pretendon që përsëri ta drejtojë LDK-në.

Ambicien e saj për ta marrë timonin e partisë, nuk e ka mohuar as deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se do ta respektoj zërin e anëtarësisë së partisë. /Telegrafi/