RCCOLA

GAP sugjeron investime në energji, transport e bujqësi

/ 5 minuta lexim

Prishtinë – Instituti për Studime të Avancuara – GAP , publikoi analizën rreth mundësive të financimit të projekteve të caktuara në Kosovë nga Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), pas anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

Analiza është kryesisht e fokusuar në investimet e deri tanishme të BERZH-it në shtetet ku operon, me një fokus të veçantë në rajon, si dhe krahasimin e fushave të këtyre investimeve në raport me planet zhvillimore të Kosovës.

Një prej përfundimeve kryesore në këtë analizë është se Kosova nuk ka një plan zhvillimor ekonomik që është në përputhje të plotë me objektivat e BERZH-it dhe BE-s në përgjithësi.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është institucion financiar që mbështet projekte në shtetet e Evropës dhe ato të Azisë Qendrore. Marrëveshja për themelimin e BERZH-it është nënshkruar në Paris më 29 maj 1990, ndërsa ka filluar të operojë më 15 Janar 1991. Në bazë të Nenit 1 të marrëveshjes për themelim, qëllimi i Bankës është që të kontribuojë në zhvillim dhe rindërtim, nxitë tranzicionin në ekonomi të tregut dhe promovojë sektorin privat në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore.1 Synimi është që të promovohet një ekonomi funksionale e tregut, ku bizneset konkurrojnë me njëra tjetrën, ku inkurajohet inovacioni si dhe të hyrat reflektojnë rritje të punësimit dhe produktivitetit. Banka financohet nga 64 shtete nga mbarë bota përfshirë edhe dy institucione ndërqeveritare: Bashkimin Evropian dhe Bankën Evropiane për Investime. BERZH është investitori më i madh në regjion.

Me vendim të Bordit të Guvernatorëve të datës 16 nëntor 2012, Kosova është bërë anëtari i 66-të, pranuese e fondeve të BERZH-it. Vendimi ka hyrë në fuqi me datë 17 dhjetor 2012 dhe BERZH-i pritet ta ndihmojë si sektorin privat ashtu edhe atë publik në Kosovë.

RCCOLA

Në këtë studim, Instituti GAP synon të analizojë fushat dhe projektet konkrete ku Kosova do të mund të përfitonte tashmë si anëtare e BERZH-it. Studimi është i orientuar drejt krahasimit të fushave/projekteve të financuara nga BERZH-i në shtetet anëtare të saj, dhe planeve për zhvillim ekonomik të Kosovës, të bazuar kryesisht në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2013-20152 dhe strategjive nga sektorë të ndryshëm të miratuar nga Qeveria e Kosovës. Instituti GAP vlerëson se Kosova duhet të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse ku energjia e ripërtërishme, transporti multimodal dhe bujqësia marrin një rol thelbësorë në zhvillim ekonomik, me çka Kosova do të rriste përfitimet nga anëtarësimi në BERZH. Kjo analizë e GAP synon të kontribuojë edhe në hartimin e Strategjisë së Partneritetit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Gjersa Kosova u bë anëtari i 66-të në BERZH si shtet pranues i fondeve me datë 17 dhjetor 2012, kjo Bankë mbetet investitori më i madh në rajon me rreth 71 miliardë euro të investuara deri më tani. Qëllimi i Bankës mbetet funksionalizimi i tregut duke bërë investimet më të mëdha në sektorin privat dhe në fusha si transporti, energjia, agrobiznesi. Në anën tjetër, Kosova mbetet në një pozitë të vështirë për të bërë biznes, ku ka mungesë të një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik. Duke filluar nga normat e larta të interesit, niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e vizionit për krijimin e një strategjie në krijimin e burimeve për energji të ripërtërishme, orientimi i investimeve në infrastrukturë rrugore dhe lënia anash e investimeve në hekurudha tregojnë një ambient jo premtues për rritje ekonomike.

Në bazë të të gjeturave të këtij studimi, Instituti GAP rekomandon që: Kosova si shtet të orientohet në hartimin e një strategjie të zhvillimit ekonomik e cila është në përputhje me objektivat dhe standardet e BERZH-it; Në fushën e energjisë të hartojë një strategji ku përveç rritjes se efiçiencës në këtë sektor, të përfshihen projekte dhe politika mbështetëse për ndërtimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë; Sa i përket transportit, potencial i investimeve të Bankës mbetet infrastruktura rrugore, prandaj përfshirja e hekurudhave si mjet efiçient për transport duhet të ishte një ndër projektet kyçe që do të ndihmonte zhvillimin ekonomik; Bujqësisë duhet t’i jepet prioritet më i lartë, si njëri ndër sektorët me potencial për përfitim të fondeve dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës; Strategjia e zhvillimit ekonomik të Kosovës duhet të drejtohet drejt krijimit të kushteve dhe infrastrukturës për zhvillimin e sektorit privat si bartës kryesorë i zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë, duhen të hartohen politika që sigurojnë funksionimin e tregut siç janë: sigurimi i konkurrencës dhe respektimi i standardeve mjedisore.