Uji Dea

Gani Geci sot merret në pyetje

/ 3 minuta lexim

Ish-deputeti Gani Geci do të merret në pyetje të enjten (sot) në njërën nga zyrat e objektit të EULEX-it në Prishtinë, pas incidentit të së hënës në Skenderaj me deputetin e PDK-së, Azem Syla, me ç’rast ishin dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, Geci do të paraqitet në orën 09:00 në zyrat e EULEX, ku do të intervistohet nga Policia me asistencën e dy prokurorëve, njëri vendor e tjetri ndërkombëtar.

“Geci është kontaktuar nga zyra e Policisë dhe Prokurorisë dhe i njëjti është zotuar se mëngjesin e ditës së enjte do të paraqitet për t’u intervistuar”, ka pohuar burimi.

Geci do të merret në pyetje nga Policia, ngase prokuroria zyrtarisht ende nuk ka filluar hetimet për këtë rast. Policia dyshon që Gani Geci, i cili ka probleme të kamotshme me deputetin Azem Syla, kishte mbajtur armë zjarri në dorë, në momentin kur kishte ndodhur incidenti.

Geci nuk e ka mohuar faktin që ka pasur armë, mirëpo në paraqitjet e tij para mediave, ai ka thënë se e kishte një armë lodër. Sido që të jetë, nga filmimet në vendngjarje është dëgjuar krisma e armës.

Fidanishtja

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka thënë për gazetën “Zëri” se është konfirmuar që EULEX nuk ka kompetencë ekzekutive në këtë rast dhe, sipas tij, do të punohet bashkërisht me prokurorët vendorë.

“Nga prokuroria në Mitrovicë është caktuar prokurori Njazi Rexha që të merret me këtë çështje”, ka njoftuar Syla, duke shtuar se ende nuk ka hetim zyrtar, përkatësisht aktvendim për fillim të hetimeve nga ana e prokurorisë.

Syla nuk ka komentuar as për hapat e parë që ka ndërmarrë hetuesia për ta intervistuar të mërkurën në mëngjes Gani Gecin. Informacione në lidhje me marrjen në pyetje të Gecit nuk kanë dhënë as zyrtarët e misionit EULEX.

“Bazuar në kapitullin 4 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, më saktësisht Artikulli 69 dhe Artikulli 70, policia mund të hetoj shkeljet e mundshme ligjore për të vërtetuar se a mund të fillohet procedurë penale. Kjo është procedura që është duke ndodhur për momentalisht. Prokuroria e Shtetit dhe prokurori i EULEX-it janë duke punuar së bashku me policinë lidhur me këtë rast, sidoqoftë, nuk është iniciuar hetim formal nga prokurorët”, ka bërë të ditur ndërkaq zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së mërkurë ka bërë përpjekje të vazhdueshme që ta kontaktojë nëpërmjet telefonit edhe Gani Gecin, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur.