UBT

Gani Geci deklarohet sot

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Ndaj Gani Gecit, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili dyshohet të jetë vrasësi i Ruzhdi Shaqirit, ka filluar ekzaminimi psikiatrik në mënyrë që të vërtetohet gjendja e tij mendore për kohën kur e ka kryer vrasjen.

Pavarësisht se të hënën ka filluar ekzaminimi psikiatrik, gjatë ditës së nesërme ai pritet që të paraqitet para prokurorit të rastit, i cili edhe do ta bëjë intervistimin e Gani Gecit në lidhje me vrasjen e kryer më katër gusht të këtij viti.

“Të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje dhe për fund, para ngritjes së aktakuzës, ka mbetur edhe marrja në pyetje e të dyshuarit, veprim i cili do të ndodhë gjatë ditës së mërkurë”, ka thënë një burim i gazetës i afërt me rastin.

Se Gani Geci do të intervistohet gjatë të mërkurës e ka thënë për “Zërin” edhe avokati i tij, Ndrecë Dodaj. Dodaj ka njoftuar se klienti i tij deri tash nuk është marrë në pyetje dhe se kjo do të ndodhë gjatë ditës së mërkurë.

Ai po ashtu ka njoftuar se të hënën ka filluar ekzaminimi mjekësor në aspektin psikik i Gecit, ngase kështu ka kërkuar mbrojtja.

“Ne kemi bërë kërkesë për ekzaminim ngase kemi të bëjmë me vrasje dhe duhet të vërtetohet gjendja mendore e Gecit në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale”, ka thënë Dodaj.

ARKATANA

Sipas tij, ekzaminimi ka filluar të bëhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së enjte.

Ish-deputeti nga radhët e LDD-së, Gani Geci, është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Vrasja ka ndodhur më 4 gusht në kafenenë “N’qosh” e cila ndodhet në afërsi të postës në qytetin e Skenderajt. Viktima është nip i Sabit Gecit. Ky i fundit është i afërm me Gani Gecin por kanë raporte shumë të përkeqësuara, të shoqëruara me konflikte tash e sa vite. Edhe me Ruzhdi Shaqirin, Geci ka qenë në konflikt të vazhdueshëm. Vrasja e Shaqirit ende nuk dihet zyrtarisht se për çfarë motivesh ka ngjarë dhe kjo pritet të zbardhet gjatë procesit gjyqësor që pritet të fillojë së shpejti.

Dëshmitarët okularë, ditët kur ka ndodhur vrasja, kanë saktësuar se shkrepja e katër plumbave nga Gani Geci ka ngjarë pas një fjalosjeje verbale në mes të Gecit dhe viktimës. Gani Geci menjëherë pasi kishte kryer veprën ishte arratisur, siç përflitej në atë kohë jashtë vendit, por kjo nuk do të jetë e vërtetë pasi ish-deputeti Geci është dorëzuar më 22 gusht, madje te prokurori i misionit evropian EULEX-it.

Geci tashmë është duke u hetuar nga prokurorët vendorë të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës të cilët veprojnë në Vushtrri. Pikërisht në objektin në Vushtrri, Geci është ftuar që për herë të parë të merret në pyetje./zeri/