Gagica: Java e barazisë gjinore, nevojë për ekuilibrim të të drejtave gjinore në shoqëri

Gjilan – Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica e ka shpallur të hapur javën e barazisë gjinore, në një takim me drejtorë të shkollave, që është organizuar nga Komiteti për Barazi Gjinore, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Gagica ka thënë se Drejtoria Komunale e Arsimit e ka mirëpritur këtë nismë të Komitetit për Barazi Gjinore, që këtu mbahet për herë të parë dhe ka për qëllim sensibilizimin e një realiteti që ka të bëjë me 8 Marsin, si nevojë për të ekuilibruar barazinë gjinore në shoqërinë tonë dhe për t`i dhënë kuptim të plotë kësaj dite.

Për më tepër, Gagica ka thënë se ndërkohë do të organizohet edhe një debat me drejtorë të shkollave, për të nxjerrë edhe rekomandimet për të ardhmen, nga ky projekt i cili do të zhvillohet në shkolla nga 4-8 mars, në kuadër të orëve të edukatës qytetare dhe historisë.

Ndërkaq, Ajtene Shahiqi, kryesuese e Komitetit për Barazi Gjinore, ka thënë se përmes këtij aktivitet synohet vetëdijesimi i nxënësve për rëndësinë që ka barazia gjinore si dhe 8 Marsi, si ditë ndërkombëtare e Gruas.

“Përmes këtij aktiviteti ne synojmë integrimin e komponentës së barazisë gjinore në fushën e arsimit dhe edukimit”, ka thënë Shahiqi.

Xhylshene Berisha, aktiviste e të drejtave të grave, ka thënë se kjo javë duhet të shfrytëzohet për t`iu treguar nxënësve mbi rolin e gruas në shoqëri dhe veçanërisht për kontributin e gruas shqiptare në histori.

Kurse Sadete Tërnava Osmani, nga OSBE-ja në Gjilan, ka thënë se kjo është një nismë e përbashkët me Komitetin për Barazi Gjinore, që po fillon në Gjilan dhe do të shtrihet edhe në komunat tjera të këtij regjioni./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS