Gagica: Hysen Latifi ishte model i njeriut të përkushtuar ndaj arsimit

Gjilan – Në Gjilan, ka ndërruar jetë Hysen Latifi, profesor në pension. Latifi ishte i lindur më 5 qershor të vitit 1938, në fshatin Hogosht, komuna e Kamenicës. Me rastin e ndarjes nga jeta të pedagogut Hysen Latifi, të mërkurën në Gjilan, është mbajtur tubim përkujtimor, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, duke shprehur ngushëllime në emër të kryetarit të Komunës si dhe institucioneve arsimore të kësaj Komune, ka thënë se ndarjet fizike janë gjithmonë të rënda.

Profesori Hysen Latifi, gjithmonë ka reflektuar iluminizëm dhe përpjekje për zhvillimin e arsimit shqip dhe emri i tij lidhet përjetësisht me rritën e shkollës shqipe.
“Rruga jetësore e Hysen Latifit, është rruga zhvillimore e arsimit shqip në Gjilan. Ai ishte njeri model në përkushtimin e tij si dhe në gjetjen e zgjidhjeve në situata e duhura. Për njerëz të tillë, ne do të kemi nevojë gjithnjë ”, ka thënë Gagica.

Në emër të Lidhjes së Historianëve të Kosovës, ka folur profesori Fehmi Rexhepi, i cili tha se Hyseni ishte veteran i arsimit kombëtar. Si një historian i përkushtuar, ai ka dhënë kontribut të madh edhe në hartimin e teksteve mësimore, ka thënë Rexhepi.

Latifi ka mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik, drejtimi i Historisë. Po në Prishtinë ka kryer edhe nivelin e magjistraturës, në temën “Gjilani me rrethinë në mes të dy luftërave botërore”.

Punoi si mësimdhënës në vendlindje, në fshatin Hade të Prishtinës, pastaj në Normalen e Gjilanit, ku më vonë emërohet. Detyrën e drejtorit e kreu për një mandat edhe në gjimnazin “Zenel Hajdini”. Nga viti 1980 e deri në pension, Latifi ka punuar si këshilltar pedagogjik në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan.

Me disa fjalë, profesorin e gjimnazit e ka rikujtuar edhe ish-nxënësi i kësaj shkolle, Naim Shaqiri./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).