Gafa me Specialen, autogol i liderëve

Që nga pas lufta e deri më sot lidershipet që ishin dhe janë në pushtet të Kosovës po e mbajnë peng shtetin e Kosovës duke qenë të ndihmuar nga njerëz të UDB-së, që tani punojnë si agjentë zyrtarë të televizioneve të mafio-oligarkëve.
Skenari i radhës kishte filluar nga nata e 22 dhjetorit, duke tentuar që ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, e cila do të shqyrtojë aktakuza kundër ish-komandantëve të UÇK-së, sot njerëz me pushtet, por edhe me miliona në kontot e tyre. Shi për këto qëllime, lidershipit të vendit edhe iu refuzuan vizat nga bashkësia ndërkombëtare, dhe për çudi ndodhi që menjëherë pas refuzimit të vizave pushtetarëve tanë, u “këndellën “,edhe atë duke i ndërruar fjalët tërësisht. Analistët potencojnë se si e vunë udhëheqësit e Republikës interesin personal para atij nacional e shtetëror të frikësuar se mund ta kenë emrin në mesin e të akuzuarve, duke dëshmuar edhe një herë se kauza e tyre në pushtet u shërben për të mbushur xhepat e jo për ta zhvilluar shtetin.
Sipas analistëve, loja hipokrite dhe e dëmshme me Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale tregoi se sa poshtë ka rënë kjo klasë politike në Kosovë. Ata vlerësojnë se kjo ishte “dhurata” më e keqe në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, që mund t’ua bënin qytetarëve presidenti, kryeparlamentari, kryeministri, me mbështetësit militantë të tyre. Analistë thonë se liderët tanë ua kanë borxh qytetarëve një kërkimfalje publike për aventurën e tyre politike, sepse Kosova nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish edhe të inkriminuar, që në emër të “luftës për liri” duan ta zhbëjnë çdo gjë për interesa të tyre personale.
Lojë e rrezikshme për interesa personale
Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani tha për “Kosova Sot”, se këtij lidershipi që po udhëheq me shtetin në këto 17 vjet po shihet se i ka ardhur fundi. “Përpjekjet për shfuqizim të Gjykatës Speciale kanë dështuar, ngase loja e presidentit Thaçi gjithmonë është e njëjtë, sepse ai provokon dhe në fund kthehet, por ka situata kur të gjithë mendojnë se puna ka përfunduar, e ai del kundër, ngase kjo është në natyrën e tyre njerëzore”, u shpreh ai. “Thaçi kishte folur në konferencën e djeshme fjalë të mëdha për Gjykatën Speciale, por duhet të shohim a është në interes politik dhe shtetëror siç e thoshte për të funksionuar Gjykata Speciale apo ia kanë hequr frikën z. Thaçi se ai nuk do të jetë në listën e kësaj Gjykate”, vijoi më tutje Burjani. Sipas tij, Thaçi i ka shpëtuar Tribunalit të Hagës më herët, por mund të jetë në Gjykatën Speciale si i ftuar për të dëshmuar.
Ndërsa, analisti Ali Hertica tha për “Kosova Sot”, se nisma e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbetet edhe më tej dhe ajo do të votohet nëse arrin para deputetëve. “Kosova dhe institucionet e Kosovës duhet që të marrin guximin, jo të propozojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit, por të marrin përgjegjësinë për trajtimin e krimeve, vrasjeve e torturave që kanë ndodhur në vendin tonë. E gjithë kjo lojë ishte për interesa të individëve, para interesave nacionale, sepse filloi frika nga lista dhe emrat që do ndiqen nga kjo Gjykatë. Kjo ishte një lojë totalisht perfide nga oligarkët e politikës së mafisë, e cila mban qytetarin të getoizuar për interes personale”, potencoi ai.
Politika kosovare, në nivelet më të ulëta
Analisti Bislim Aliu tha për “Kosova Sot’, se nuk ka asnjë dyshim se që nga pas lufta e deri më sot të gjitha lidershipet që ishin dhe janë në pushtet në Kosovë po e mbajnë peng shtetin e Kosovës duke qenë të ndihmuar nga njerëz të UDB-së. “Udhëheqësit e Republikës e vunë interesin personal para interesit nacional e shtetëror të frikësuar se mund ta kenë emrin në mesin e të akuzuarve, duke dëshmuar edhe një herë se kauza e tyre në pushtet u shërben për të mbushur xhepat e jo për ta zhvilluar shtetin”, vlerësoi ai. Sipas Aliut, Kosova nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish që janë edhe të inkriminuar, që në emër të “luftës për liri” duan ta zhbëjnë çdo gjë për interesa të tyre personale. Ndërsa, Hidajet Ahmeti, analist, për ” Kosova Sot”, tha se e gjithë loja e hipokrite e lidershipit tonë me Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale tregoi se sa është e dëmshme dhe ajo po na i hap sytë duke na bërë me dije se sa poshtë ka rënë kjo klasë politike në Kosovë. “Madje, lirshëm mund të themi se kjo ishte “dhurata” më e keqe në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, që mund t’ua bënin qytetarëve presidenti, kryeparlamentari, kryeministri, me mbështetësit militantë të tyre” , theksoi ai. Sipas tij, lidershipi i vendit u janë borxhlinj qytetarëve tanë që ta bëjnë një kërkimfalje publike për aventurën e tyre politike.
(Kosova Sot)