Fundamenti

Gabimet që bëjmë me ushqyerjen

/ 4 minuta lexim

Shumë njerëz lënë pas dore vaktin e parë të ditës, mëngjesin. Nuk përdorin pothuajse fare bishtajoret, shumë pak perime dhe fruta dhe një sasi e rrezikshme mishi

“Pavarësisht fushatave të herëpashershme të sensibilizimit, njerëzit bëjnë ende shumë gabime në tavolinë për mënyrën se si ushqehen”. Kështu tregojnë kërkuesit e Institutit Europian për kërkimet mbi ushqimin dhe ushqyerjen. Një studim i kryer te thuajse 3 mijë persona ka nxjerrë rezultatet e mëposhtme, alarmante për mënyrën se si ushqehemi ne sot.

Studimi

Të gjithë atyre që u përfshinë në projekt u është kërkuar të hartojnë një ditar ushqimor për tri ditë radhazi, ditët e festave dhe pushimeve dhe përsëritjen e këtij rituali në momente të ndryshme të vitit për të marrë në konsideratë variacionin sezonal. Një nga rezultatet më evidente është se pavarësisht të gjitha rekomandimeve për të mos e bërë, të gjithë lëmë pas dore mëngjesin: ka nga ata që pinë vetëm një kafe, nga ata që i shtojnë edhe dy biskota, e kështu vakti i parë i ditës dhe më i rëndësishëm i ditës, mëngjesi, është shumë larg atij të duhurit, për të plotësuar nevojat kalorike e për ta nisur ditën mbarë. “Mëngjesi duhet të ofrojë 20 për qind të kalorive, por shumica e njerëzve mezi marrin 11 për qind. Rezultati është se në drekë jemi më të uritur dhe sigurisht që hamë më shumë. Pastaj për të rënë nga pesha, bëhet një tjetër gabim: në mënyrë që të reduktohen në mënyrë të ekuilibruar kaloritë e marra, pjesa më e madhe e njerëzve eliminojnë vetëm bukën dhe brumërat, pa zvogëluar proteinat dhe yndyrat që konsumojmë me tepricë”.

Fidanishtja

Ushqimet

Por nëse vaktet nuk konsumohen ashtu siç duhen, edhe zgjedhjet ushqimore nuk janë më mirë: për konsumin e frutave dhe perimeve me 418 gramë në ditë, jemi vetëm pak përpara kufirit minimal të vendosur nga FAO me 400 gramë. Fruta e preferuar e europianëve është molla, ndërsa për sa u përket perimeve, përjashto domaten në të gjitha format e saj (edhe të konservuara)janë karotat dhe sallata jeshile. Brumërat janë në vend të parë: makaronat, buka dhe pica. Më shumë se 90 për qind e të intervistuarve i ka konsumuar të paktën një herë në tri ditët e monitorimit të ditarit të tyre ushqimor. Ndër bulmetrat djathi zë vendin kryesor në tavolinë si produkt që konsumohet shumë shpesh, ndërsa për sa i përket peshkut preferohet merluci. Megjithatë, peshku dhe vezët, ushqime të shëndetshme dhe të mira, konsumohen vetëm një herë në javë nga 70 për qind e personave të intervistuar. Pas dore lihen edhe bishtajat, edhe kjo një kategori shumë e shëndetshme ushqimesh: vetëm një person në tre të tillë i konsumonte njëherë në javë.

Shumë mish

Ashtu siç pritej niveli i konsumit të mishit, qoftë ky i freskët apo i konservuar është i rrezikshëm: mesatarja ishte 700 gramë mish të kuq në javë, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve mbi kancerin rekomandon konsumin e jo më shumë se 400 gramëve për të reduktuar rrezikun e tumoreve. Mishi i viçit dhe qengjit është më i preferuari krahasuar me mishin e pulës dhe mishra të tjerë të bardhë. Me pak fjalë një katastrofë e vërtetë. “Marrim dyfishin e sasisë së rekomanduar të sallameve dhe mesatarisht një porcion mishi në ditë, ndërsa bishtajat, burim proteinash dhe fibrash, i hamë më pak se një herë në javë. Mjafton të zëvendësojmë dy – tre racione mishi në javë me fasule, thjerrëza apo qiqra për të përmirësuar ushqyerjen, por edhe për t’u dobësuar. Me këto ritme Europa shumë shpejt do ia kalojë Amerikës për nga numri i personave në mbipeshë”. Kjo sigurisht edhe për shkak të dashurisë së madhe për pijet e ëmbla dhe të gazuara: një pjesë e madhe e europianëve konsumojnë çdo ditë pije me bazë coca-cola apo lëngje frutash: një minierë e vërtetë kalorish.