Futbollistet shqiptare nderojnë trofeun “Fadil Vokrri”
Të enjten duke filluar nga ora 15:00, në stadiumin sintetik në Gjilan do të mbahet turneu i futbollit për femra trofeu “Fadil Vokrri”.
Pjesëmarrëse të këtij manifestimi futbollistik të gjinisë së bukur, do të jenë Tirana As, Kosova e Prishtinës, Intelektualet nga Gjilani dhe Tetova 2017 nga Tetova.
Turneu futbollistik tek femrat i cili do të mbahet për nderë të legjendës dhe ish kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.
Koordinatori për sport në komunën e Gjilanit, Malazog Hoxha, është shprehur mjaft i lumtur dhe i nderuar që pikërisht qyteti i Gjilanit ka rastin të nderoj figurën e madhe të Fadil Vokrrit.
“Është një nder dhe respekt i veçantë për njeriun e madh siç ishte Fadil Vokrri, që qyteti i Gjilanit të jetë nikoqirë i futbollisteve nga anembanë trojeve shqiptare, në këtë turne, trofeu Fadil Vokrri, do të jetë prezent edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri si dhe Gramos Vokrri djali i Fadil Vokrrit, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të enjten të jenë prezent në këtë turne të futbollit për të nderuar veprën e të madhit Fadil Vokrri”./rajonipress/


