Fushëbetejë

Tri herë është hedhur gaz lotsjellës në seancën e parë plenare për vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës, duke rikthyer institucionin ligjvënës në një fushëbetejë të dhunës e tensioneve. Kësaj here Policia u tregua më e ashpër, duke nxjerrë zvarrë nga seanca disa deputetë, ndërsa më pas kryeparlamentari, Kadri Veseli, me “dekret” pezulloi opozitën nga Kuvendi. Për hedhjen e gazit u arrestuan nëntë deputetë, ndërsa në shesh vazhdoi protesta paqësore e rreth 200 simpatizantëve të opozitës.
Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës ka filluar ashtu siç ishte pritur: me gazë lotsjellës, përjashtime të opozitës nga seanca, arrestime të ligjvënësve nga Policia e madje me krizë edhe më të thellë politike se vitin e kaluar. E nisur mbrapsht, pa marrëveshje ndërmjet palëve, seanca e parë e vitit 2016 shkoi edhe më larg, duke i nxjerr zvarrë deputetët opozitarë nga salla. E gjithë drama e Kuvendit përfundoi me nëntë deputetë të opozitës të arrestuar dhe një deputete të lënduar, që përfundoi në QKUK e alivanosur.
Seanca, që në rend dite kishte 22 pika, filloi me një fjalim të kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, i cili ka thënë se kjo Qeveri nuk mund të qëndrojë më gjatë në pushtet. Ymeri ka thënë se Qeveria ka filluar si regjim dhe po përfundon si regjim, prandaj, sipas tij, nuk duhet të zhvillohen më seanca të Kuvendit. E me të përfunduar fjalimi i Ymerit, deputetja e “Vetëvendosjes”, Shqipe Pantina, ka hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast sigurimi është përleshur me deputetët opozitarë duke tentuar që ta largojnë bombën e gazit.
Në këto rrethana, të përfshirë nga gazi lotsjellës, një numër deputetësh qëndruan në sallë derisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, po lexonte një rezolutë kundër dënimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Gjykata e Nishit në Serbi. Me miratimin e kësaj rezolute u vendos për një pauzë pesëminutësh, në mënyrë që ventilatorët e vendosur rishtazi ta largojnë tymin nga salla./zeri/