UBT

Fushatë në kurriz të Luginës

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Milaim Shefkiu – Lugina e Preshevës sërish u bë objekt debati në Kosovë. Për këtë rajon, të mbetur nën administrimin e Serbisë, diskutoi edhe Kuvendi i Kosovës, ndërsa në këtë lojë, siç po njihet tash në linguistikën e “Facebook”-ut, u etiketuan dy eksponentë të politikës kosovare, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i opozitës, Lufti Haziri – Luta.

Ky i fundit kërkoi që të nxirret një rezolutë me të cilën Kosova merr obligim për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në rajonin e mbetur nën Serbi, ndërsa kryeministri Thaçi si kundërpërgjigje, propozoi që Lugina e Preshevës të hyjë si çështje e veçantë në Kushtetutën e Kosovës, në mënyrë që Kosova të marrë obligim kushtetues për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Të dy propozimet në shikim të parë të lënë përshtypjen se Kosova e ka përnjëmend që më në fund t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por, nevojitet vetëm një lëvizje e vogël në retrospektivë, dhe të dy figurat të dalin se këtë e kanë për fushatë politike. Derisa për vite të tëra nuk e kanë bërë asnjë lëvizje për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medevgjë, angazhimi i fundit të del më shumë kozmetik se sa realist.

Kjo sepse, gjatë dekadës së fundit, prej përfundimit të luftës dhe shpërbërjes së UÇPMB-së (21 maj 2001), institucionet politike në Kosovë nuk e kanë bërë asgjë lëvizje milimetrike, për t’i ndihmuar shqiptarët e mbetur nën Serbi. Përkundrazi, angazhimi i vetëm i tyre ka qenë në drejtim të subjekteve politike, jo për t’i bashkuar por për t’i përçarë.

Derisa armiku për një shekull ka qenë i përbashkët, në Prishtinë kjo është harruar për pak vite. “Kalova lumin, ta lujsha pelën”. Me këtë logjikë kanë vepruar politikanët në Kosovë që nga përfundimi i luftës së UÇK-së.

Pyetja e thjeshtë do të ishte: çka fiton Lugina me Rezolutë dhe çka me Kushtetutë? Përgjigja do të ishte po ashtu e thjeshtë: asgjë?

Me Kushtetutë mbrohet edhe veriu i Kosovës, e po ashtu Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë sa e sa rezoluta, e asnjë nuk është respektuar, sikurse nuk ka gjetur zbatim as Kushtetuta për sa vjet në veriun e dominuar nga strukturat kriminale e paralele serbe.
Para se të futet çështja e Luginës së Preshevës në Kushtetutë, ose të mbrohet me Rezolutë, populli atje ka nevojë për ndihma të prekshme nga Prishtina e Tirana.

Uji Dea

Shqiptarët e Kosovës Lindore kanë nevojë që kufiri të jetë poroz, që studentët e Luginës të trajtohen njësoj si kosovarët, e po ashtu ish-guerilët e UÇPMB-së të trajtohen si veteranë të luftës. Shqiptarët e Luginës që kanë nevojë për mjekë të trajtohet sikurse kosovarët në Spitalin e Gjilanit e në QKUK, ndërsa dhënia e nënshtetësisë së Kosovës duhet të bëhet pa kushte, e jo t’u kërkohet dokument që nuk janë të kërkuar nga Gjykata e Vrajës po ajo e Leskocit.

Por, ajo që është më skandaloze është demagogjia kosovare me taksat e kufirit. Imagjinojeni një shqiptar nga Lugina e Preshevës që shkon me veturë në fshatrat e Gjilanit e Kamenicës, në një distancë 5 kilometra, ose edhe më pak, ku i ka dajallarët, tezet, motrat, duhet të paguajë taksën kufitare 20 euro në javë.

Derisa Prishtina e aplikon këtë taksë për shqiptarët e Luginës, atëherë ku është ai patriotizmi i diskutuar në Kuvend. A duhet rezolutë apo ndryshim të Kushtetutës që të hiqen taksat kufitare. Kjo është e palogjikshme dhe e pakonceptueshme për një shtet, ndaj një pakice që ka mbetur në “gojën e ujkut”.

Arsyeja e kësaj takse paska qenë, që ata të Luginës po shkaktojnë aksidente në Kosovës dhe kjo po u shkakton humbje kompanive të sigurimeve. Kjo është nonsens. Por, edhe nëse ka të vërtetë këtu, atëherë a ka para Qeveria e Kosovës për t’i mbuluar shpenzimet e dëmeve që po ua shkaktuakan, kinse shqiptarët e Luginës.

Atëherë kur po akuzohet Qeveria e Kosovës se nuk e ka dhënë as edhe një cent për shqiptarët në Luginë, qeveritarët po arsyetohen se këtë po e pengon Beogradi.

Atëherë, a po e pengon Beogradi Prishtinën që t’i paguajë dëmet eventuale në trafik të qytetarëve të Luginës. Natyrisht se jo. Prandaj e gjitha ajo që është thënë për Luginën është fushatë dhe fund e krye fushatë.