Hidromorava

Fushata elektorale dhe loja me figura të mëdha kombëtare

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ismet Rashiti – Edhe fushatat elektorale e kanë një kufi. Askush nuk ka të drejtë t`i përvetësoi figurat e mëdha kombëtare, thjesht për nevoja personale. Fatkeqësisht një lojë kaq e ulët po luhet këto ditë në Gjilan, duke u përpjekur të shfrytëzohet çdo mjet financiar, institucional dhe vlerë tjetër universale kombëtare për interesa meskine personale. Thënë ndryshe gjithçka sublime ka marrë karakter elektoral. Në masën më të madhe po manipulohet me emrat e tribunëve popullor, përmes një gjuhe « patriotike » dhe « nacionaliste » në kuptimin e keq të kësaj fjale.

Një abuzim i tillë është parë edhe në fushatën elektorale gjatë muajit qershor në zgjedhjet qendrore. Loja me shtatoret e heronjve dhe me vlerat historike nga të njëjtit protagonistë, thjesht janë keqpërdorur për synime politike elektorale. E njëjta gjë, bile në mënyrë shumë më agresive po ndodhë gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Që të jemi më korrekt, mbase ndonjëra nga shtatoret në Gjilan për arsye të ndryshme, duhet të lëvizë nga vendi, por gjithsesi një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë në kohë fushatash elektorale. Tashmë çdo kush e din se koha e folklorit patriotik e nacionalist të një shekulli më parë, ka kaluar. Askush nuk ka të drejtë t`i keqpërdorë emrat e figurave emblematike mbarëkombëtare për interesa të ngushta personale e partiake, duke u thirrur në parulla dhe në emrin e njëfarë patriotizmi primitiv. Nëse ka diçka që duhet të na mbaj të bashkuar, është pikërisht gjaku i dëshmorëve dhe vepra e pavdekshme e tyre. Kjo është vlerë që nuk guxon ta prekë askush dhe për asgjë.

Fakti i zhvendosjes së shtatores së heronjëve, në prag të fushatës ose gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve qendrore dhe pastaj loja e këtyre ditëve me shtatoren e tribunit popullor, pikërisht në valën më të madhe të fushatës elektorale, nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si keqpërdorim i vlerave më të mëdha e më sublime kombëtare.

Mobi Casa

Tribunët popullor nuk ka të drejtë t’i përvetësoi, e t`i përdorë askush për interesa të ngushta personale në fushata elektorale. Aq më tepër kur të gjitha shtatoret, bustet e lapidarët ngritën me mjete të taksapaguesve gjilanas. Autoriteti i askujt nuk mund të rritet duke u thirrur vend e pavend në emrat e mëdhenj të kolosëve kombëtar. Ata duhet ruajtur e vendosur aty ku e kanë vendin, duke respektuar vlerat e tyre historike.

Heronjtë dhe dëshmorët përfaqësojnë unifikimin dhe bashkimin e popullit, ndaj si të tilla, janë pjesë e pandarë në zemrën e çdo shqiptari.

Lëvizja e shtatoreve, apo vendosja e shtatoreve të reja të tribunëve popullor, gjithsesi duhet të bëhet në kohë të përshtatshme, jashtë fushatave elektorale, pa emocione me fakte dhe pa asnjë pretendim të politikës ditore elektorale./rajonipress/