ARKATANA

Fushata e qetë, por jo bindëse!

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka qenë e qetë dhe pa probleme, mirëpo partitë politike nuk kanë qenë shumë bindëse në premtimet e tyre karshi qytetarëve, kanë theksuar analistët për Telegrafin.

Astrit Gashi ka theksuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 3 nëntorit ishte krejtësisht e qetë, dhe kjo është pozitive për të. Ai shprehet se gjuha politike e përdorur nga kandidatët për kryetarë të komunave gjatë fushatës zgjedhore ishte e butë, gjë që, sipas tij, paraqet një dallim në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

“Qytetari i Kosovës duhet të dal e të votojë, veçanërisht tash kur edhe partitë, por edhe faktori ndërkombëtar, kanë dhënë mesazh që zgjedhjet nuk bën të manipulohen. Kjo është arsye e mjaftueshme për të na bindur se vota jonë vlen. Pastaj, zgjedhja është individuale, por me rëndësi është që vota se pari të jetë vlerësim apo dënim i udhëheqësive aktuale dhe bashkë me këtë zgjedhje edhe e një alternative më të mire. Njëra pa tjetrën nuk shkojnë. Unë do të votoj mbështetur në këto dy parime”, ka thënë Gashi.

Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol, ka theksuar se gjatë fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit, partitë politike energjinë më të madhe e kanë dhënë për të marrë mbështetje nga votuesit e zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ai beson se kjo ka ndodhur për arsyen që qytetarët kanë krijuar një distancë të madhe me partitë, e sidomos me fushatat zgjedhore, duke humbur krejtësisht besimin në premtimet e dhëna.

Mobi Casa

“Përshtypja e vetme që është krijuar nga fushata, është se partitë politike kanë një frikë për humbjen e votave nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2010. Shumica prej partive, për të mos thënë të gjitha, fushatën e kanë orientuar tek votuesit klientelistë, që për këto vite e kanë krijuar duke ju ofruar mbështetje në forma të ndryshme. Kam bindjen që kjo fushatë dhe këto parti kanë dështuar që ta përfitojnë një elektorat që për disa vite nuk ka marrë pjesë në procesin zgjedhor. Duke qenë zgjedhje lokale, nuk duhet lënë anash që në disa komuna ka pasur risi dhe një garë shumë të mirë, por prapë mbetet në nivel shumë të ulët”, ka thënë Zogaj.

Ai ka theksuar se ndër karakteristikat më të rëndësishme të kësaj fushata janë kandidimi i tetë grave për kryetare të komunave të Kosovës, dhe pa diskutim risi të madhe, sipas tij, është futja në garë për herë të parë e një partie me qasje ironizuese ndaj liderëve dhe partive tjera politike.

“Në pak komuna të Kosovës ka pasur një garë të kandidatëve dhe të programeve të partive politike. Kështu që kjo ndikon shumë në pozicionimin, madje edhe personal ndaj ndonjë kandidati apo partie. Mirëpo, ajo çfarë duhet gjithsesi të thuhet është që dalja në zgjedhje, pavarësisht për kë apo si voton, duhet të merret si një veprim politik që qytetarët e Kosovës duhet gjithsesi ta bëjnë. Të dilet në zgjedhje edhe atëherë kur vota do të jetë ndëshkuese ndaj të gjitha partive politike dhe kandidatëve”, ka shtuar Zogaj. /Telegrafi/