UBT

Fuqia e diasporës

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nga Lumir Abdixhiku – Kosova që nga viti 2004 ka pranuar plot 4 miliardë euro nga diaspora. Janë mu këto miliarda që bashkë me donacionet e bashkësisë ndërkombëtare i japin shpjegim e kuptim mbijetesës së kosovarëve pavarësisht një papunësie rekorde prej 44% apo një inflacioni të lartë prej 7.3%, sa ishte vitin që shkoi.

Ka një gjë që e bën të veçantë Kosovën; është fuqia e diasporës së saj. Kjo fuqi ka bërë që kosovarët nëpër vite të shpenzojnë më shumë sesa që krijojnë. E bëjnë këtë meqë kanë një të tretën e banorëve të saj që jetojnë jashtë, që punojnë jashtë, që krijojnë jashtë, e që sjellin vlerë brenda. Dhe mu sjellja e kësaj vlere brenda për kosovarët në kohë ka qenë burimi i vetëm i mbijetesës, i stabilitetit social e në raste dhe i luksit që as vetë dërguesit nuk e kishin (diku rreth 70 milionë euro në vit të parave nga diaspora shpenzohen për vetura).

Se dërgesat e diasporës, pra remitencat, janë shumë të rëndësishme kuptohet dhe nga modeli ekonomik kosovar e i cili fatkeqësisht nuk mbështetet dot në sektorin privat (burimin më të qëndrueshëm ekonomik). Në vend të tij Kosova mbështetjen e gjen në shpenzime qeveritare, në donacione e në remitenca. Madje remitencat në vlerë ndajnë barazi nivelin e rëndësisë me donacionet.

Javë më parë në një studim të rifreskuar mbi fuqitë ekonomike të diasporës sonë bëmë një tryezë diskutimi në “Riinvest”. Në një përmbledhje numrash pamë që fuqia e madhe e diasporës mbetet larg efiçencës e potencialeve të saj. Do të mundohem të argumentoj pse.

Fillimisht, bazuar në të dhënat e BQK-së, Kosova që nga viti 2004 ka pranuar plot 4 miliardë euro nga diaspora. Janë këto para të gatshme të dërguara për familjet tyre e në to nuk bëjnë pjesë paratë e shpenzuara nga mërgimtarët gjatë qëndrimeve të tyre në Kosovë; e që të njëjtat bëjnë shpeshherë burimin shpëtues të bizneseve (kryesisht gjatë verës). Pjesa më e madhe e remitencave buron nga vendet ku ka më shumë mërgimtarë, pra nga Gjermania (33.2%) dhe Zvicra (23.1%). Pjesa tjetër buron nga Italia (7%), Austria (5.5%), e në përqindje më të vogël nga Sllovenia, SHBA-ja dhe Suedia.

Duhet theksuar se paratë e pranuara nga shërbimet ushtarake në Irak e Afganistan, me theks të veçantë nga punëtorët e rajonit të Ferizajt, nuk janë llogaritur në shumën e gjithëmbarshme të remitencave. Fillimisht sepse ato konsiderohen si paga të kosovarëve me qëndrim pune në këto vende, e jo si dërgesa të diasporës.

Pavarësisht kësaj, pranimi i plot 4 miliardëve në më pak se një dekadë është një shtytje masive për stabilitet social në vend. Madje janë mu këto miliarda që bashkë me donacionet e bashkësisë ndërkombëtare i japin shpjegim e kuptim mbijetesës së kosovarëve pavarësisht një papunësie rekorde prej 44%, apo një inflacioni të lartë prej 7.3% sa ishte vitin që shkoi. E trendi i ardhshëm i tyre, ndonëse me shumë gjasa rënës, do të duhej të shërbente si motiv i ndërtimit të politikave ekonomike në Kosovë që mobilizojnë fuqinë e vërtetë të diasporës. Them me gjasa rënëse meqë diaspora jonë dikur do të ketë problemin e gjeneratës së katërt; pra pasjen e nipërve e mbesave të migruesve nga vitet ‘90, e të cilët nuk do të ndiejnë fort lidhshmëri me familjet në Kosovë, gjithsesi jo sa për t’i mbajtur ato me para. Pra Kosova ka një derë të hapur jo më shumë se dhjetëvjeçare, prej të cilës mund të absorbojë po aq miliarda sa ka marrë në këto vitet e fundit.

Fundamenti

Dëshpërimi në gjithë fotografinë e remitencave vjen po zbërthyem strukturën e tyre. Pothuajse të gjitha, gati 97% e dërgesave, përdoren për konsum. Vetëm 3% e dërgesave nga jashtë përdoren për investime nga familjet kosovare. Pra në një cikël të thjeshtë ekonomik, ku Kosova zotëron një disbalancim tregtar prej plot 2.2 miliardë eurove në vit (me importe prej 2.5 miliardëve e eksporte prej rreth 300 milionëve), i bie se çdo vlerë e krijuar nga diaspora, çdo pagë e fituar, çdo para e dërguar në Kosovë eksportohet me të njëjtin intensitet jashtë. Kosova në këtë cikël, në fotografinë makroekonomike, shërben vetëm si një urë pranim-përcjellëse e miliardave të fituar nga jashtë. Dhe kjo urë duhet rrënuar. Kjo urë duhet kthyer në drejtim të kundërt.

Për shembull, nxjerrë nga struktura e konsumit, kosovarët shpenzojnë mbi 80 milionë euro për qëllime shëndetësore. Pjesa më e madhe e tyre përdoren në Maqedoni, Serbi e Turqi. Në relacion të tillë do të ishte esenciale reforma shëndetësore në vend. Nëse asgjë tjetër, absorbimi i kaq milionëve në vit do të ishte shtytës i mjaftueshëm në ecjen e shëndetësisë. Këtu nuk do të dalloja shërbimet private prej atyre publike. Nëse këto para pranohen nga shërbimet private të vendeve të huaja, pse të mos krijojmë një ambient që i ndal ato në Kosovë? Privat për privat, le të mbesin në vend. Ne jo patjetër duhet pritur rimëkëmbjen e shërbimeve publike në shëndetësi; në vend të kësaj le t’i japim mundësi iniciativës private (siç kanë bërë vendet e rajonit) që të paktën këto para t’i mbajë për ne.

Por nëse iniciativa e pranuesve të dërgesave nuk përafrohet me ndjenjën e ndërmarrjes, pra nëse pranuesit e remitencave nuk kanë shpirt biznesi, por preferojnë vetëm konsumin, them se fuqinë ekonomike e financiare të diasporës mund ta përdorim edhe më ndryshe. Sipas rezultateve të “Riinvestit”, diaspora jonë ka mbi 2 miliardë kursime në bankat evropiane; pra përafërsisht sa depozitat e gjithë kosovarëve në vend. Kaq fuqi financiare lehtësisht mund të shndërrohet në një kapital investues nëpërmjet a) fondeve investuese, b) iniciativave individuale, apo c) partneriteteve të bizneseve kosovare me kapitalin kosovar në diasporë.

Së pari, nëpërmjet fondeve investuese, pra kapitalit të përbashkët financiar të diasporës, mund të financoheshin/investoheshin me prioritet disa prej projekteve më madhore në vend. Privatizimi i PTK-së do të mund të bëhej nga një fond investues i diasporës. Apo vendimet për investimet në miniera do të favorizonin fondet investuese të diasporës. Praktika të tilla janë bërë me shumë sukses në Izrael e Armeni, dy vende me diasporë jashtëzakonisht të fuqishme e me politika që kanë mobilizuar fuqinë e diasporës. Në një relacion të tillë ne do të forconim jo vetëm kapitalin vendor por do të siguronim edhe fuqinë e lidhshmërinë e mëtutjeshme të diasporës sonë me Kosovën.

Së dyti, nëpërmjet iniciativave individuale, ne do të zëvendësonim lehtësisht nevojën për investime të huaja direkte. Për të bërë këtë lehtësirat e favorizimet e dedikuara veçmas për diasporën nga politikat ekonomike do të hapnin rrugë për një rrjedhje goxha të fuqishme të kapitalit. Le të themi se dhënia e informacioneve, pakot fiskale (enkas për diasporë) e shpejtimi i procedurave investuese do të shërbenin si hapa të parë në këtë drejtim. Në fund të fundit, me fuqinë e tanishme të diasporës dhe me lidhshmërinë e tyre me Kosovë, ne kemi gjasa që të marrim më shumë e më mirë se çfarëdo investimi i huaj. Janë të tanët në fund të fundit. Përveç kësaj, po kanalizuam paratë e diasporës me politika favorizuese drejt investimeve, është lehtësisht e pritshme se të njëjtit nuk do të dërgojnë më para tek familjet për konsum, por në vend të tyre do të hapnin biznese familjare. Do të ishte interes edhe i diasporës që në vend të ndihmave të dërgojë punë. Në kohë afatgjate ata nuk do të kishin nevojë për të dhënë ndihma më.

Së treti, me fascilitimin e lidhshmërive të bizneseve kosovare me iniciativat individuale të diasporës, apo edhe me biznese ekzistuese të shqiptarëve atje, ne mund të ndërtonim partneritete me mjaft potencial për bizneset që operojnë në Kosovë. Mos të harrojmë se përveç fuqisë financiare që diaspora në vete bart, ka dhe një bagazh shumë më kreativ, shumë më modern, e shumë më të qëndrueshëm se pjesa më e madhe e bizneseve në vend (të cilët kryesisht na dalin si iniciativa imituese).

Në fund fare, për të tërhequr gjithë këtë energji financiare e ekonomike në diasporë, për të shfrytëzuar këtë mundësi që shumë pak vende e kanë, për të respektuar interesin e diasporës që tregon për vendin e saj, në vend të ushqimit pa benefit që i bëjmë mundit të tyre, them se institucionet tona duhet të shohin alternativën tjetër; atë të investimeve. Për të bërë një gjë të tillë, përtej gjithë barrierave që ambienti kosovar i ka dhe për bizneset që operojnë këtu (pra korrupsioni, informaliteti, burokracia), them se një strategji e planifikim strategjik i orientuar vetëm për diasporën është i domosdoshëm. Po nuk bëmë prioritet fuqinë financiare të diasporës, miliardat e marra nga atje do të ndjekin rrugën e largimit për vendet fqinje siç kanë bërë tash e trembëdhjetë vjet.