Uji Dea

Fundviti në Luginën e Preshevës përballë kërkesave , sfidave dhe provokimeve

/ 14 minuta lexim
RCCOLA

Nga Metali Krasniqi – Vitin, që po e lëmë pas në rajonin e Luginës së Preshevës, karakterizohet për një varg aktivitetesh të natyrës politike, ekonomike, kulture e informative.

Spektri politik shqiptar, duke pasur parasysh pozitën edhe më tej të keqësuar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkon praninë e tij në bisedimet Prishtinë – Beograd, ngase ai vlerëson se nuk do të ketë Kosovë stabile, e as Serbi demokratike, po qe se nuk gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për këtë rajon.

Luginë e Preshevës, dhjetor 2012 – Edhe ky fundvit, ashtu sikurse ata të mëparshmit, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, po përmbyllet me një varg çështjesh të pazgjidhura politike dhe ekonomike.

Beogradit zyrtar nuk po tregon vullnet të mirë, që këto probleme t’i zgjidhë seriozisht, ndaj shqiptarët e Luginës rikonfirmojnë vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës, si rajon të posaçëm autonom, politiko-territorial.

Situata politike dhe e sigurisë në Luginë mbetet edhe më tutje e vështirë dhe e paperspektivë, siç janë arrestimet e shqiptarëve, shpërnguljet në heshtje që kanë ashpërsuar edhe më shumë gjendjen politike, si dhe koncentrimi i shtuar i forcave të armatosura serbe përskaj kufirit shtetëror me Kosovën. Ndonëse, shqiptarët e Luginës participojnë në jetën institucionale në Serbi, kjo rrugë institucionale nuk po jep rezultate të kënaqshme sa i përket zgjidhjes politike të problemeve të grumbulluara me vite në këto hapësira të këtij rajoni.

Kërkesat legjitime të shqiptarëve etnikë, lëre që nuk merren në konsideratë nga organet shtetërore të Serbisë, por ato vazhdimisht injorohen, përbuzen dhe heshtën për motive politike. Një politikë e tillë diskriminuese e Beogradit zyrtar e ushtruar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevë, solli para 12 vjetësh edhe frymën luftarake në këtë rajon, ku shqiptarët të mllefosur ngjeshën amët dhe u vunë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, të nderit dhe dinjitetit të tyre. Edhe pas konflikteve të armatosura të zhvilluara në Luginë, pas më se një dekade ende po përsëritet e njëjta gjendje, ndonëse tashmë me metoda të reja politike.

E drejta për bashkim me Kosovën, e drejtë legjitime

Ndaj, të drejtën historike dhe politike për bashkim me Kosovën, përfaqësuesit politikë të Luginës e shohin si të drejtë legjitime të konfirmuar edhe me Referendumin e vitit 1992, dhe se ata nuk shohin zgjidhje tjetër, përveç reciprocitetit në mes veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.

Në muajin maj të vitit, që po e lëmë pas, u mbajtën zgjedhjet për pushtet lokal dhe ato parlamentare në Luginë të Preshevës. Pushteti i Beogradit për t’i minuar e zbehur këto zgjedhje burgosi një grup shqiptarësh ish-pjesëtarë të UÇPMB-së për terrorizëm. Pavarësisht nga këto presione për herë të parë në historinë e komunave: Preshevë dhe Bujanoc, shqiptarët fituan shumicën parlamentare. Në Preshevë, kuvendi u zgjodh qind për qind shqiptar, ndërsa në Buajnoc, shqiptarët arritën të sigurojnë 30 këshilltarë nga 23 sish sa kishin në mandatet e kaluara.

Mirëpo, zigzaget politike bujanocase si dhe thellimi i divergjencave mes pozitës dhe opozitës shqiptare në komunën e Bujanocit, tashmë gjenden para sfidave të reja dhe katandisjeve politike duke e sjellë pushtetin si mollë të pa(ndaluar)!

Edhe Prishtina zyrtare është në dijeni për thellimin e divergjencave mes pozitës dhe opozitës shqiptare në komunën e Bujanocit, që tashmë gjenden para sfidave të reja dhe katandisjeve politike.

Kjo është absurde, ngase nga 30 mandate të fituara të shqiptarëve në këtë komunë të vihet në një situatë të tillë fati i popullatës shqiptare të kësaj komune është e papranueshme, kanë thënë përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare, të cilët qenë zotuar se me gjithë situatën delikate që po mbizotëron në atë rajon, qarqet qeveritare kosovare ditëve në vijim do t’i përkushtohen Bujanocit.

Qeverisja lokale në Bujanoc është e përbërë momentalisht nga 23 këshilltarë (nga 12 këshilltarë të PD-së, së Nagip Arifit dhe 11 këshilltarë të Koalicionit të serbëve) nga gjithsej 41 sa ka asambleja komunale. Ndërkaq, në opozitë janë PVD e Riza Halimit me 9 këshilltarë, LPD e Jonuz Musliu ka 6 këshilltarë dhe UDSH-ja ka tre këshilltarë.
Ndaj është e palogjikshme që subjektet shqiptare, përkundër numrit rekord të mandateve prej 30 sosh të fituara në Asamblenë Komunale nga zgjedhjet e fundit të lejojnë që fati i tyre të varet nga dikush tjetër.

Gjithashtu, viti 2012 për shqiptarët e Luginës së Preshevës do të mbahet mend për festën e madhe kombëtare të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Lugina e Preshevës edhe pse nuk e ka të rregulluar me ligj përdorimin e Flamurit Kombëtar, gjatë kësaj feste kombëtare ajo u vesh kuq e zi, me flamuj e bilborde: “Rroftë pavarësia e Shqipërisë”, “100 vjet shtet shqiptar” etj.

Përmbylljen e këtij viti kalendarik, po e përshkon një frymë e ashpër tensionuese e ngritur nga Beogradi, kundër ngritjes së Lapidarit për dëshmorët e ish-UÇPMB-së.
Përkundër dallimeve politike pozitë-opozitë, në Luginën e Preshevës, po hetohet një bashkim i spektrit politik rreth mbrojtjes së vlerave çlirimtare, duke mos lëshuar përreth mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore.

Decentralizimi

Platforma politike e shqiptarëve të këtij rajoni parasheh edhe çështjen e decentralizimit në lëmenjtë jetikë të shqiptarëve, duke përfshirë edhe tërheqjen e plotë dhe të menjëhershme të forcave policore dhe ushtarake serbe nga rajoni, respektivisht përreth kufirit me Kosovën, ndërsa kompetencë ekskluzive e policisë multi-etnike (lokale) t`i besohet sfera e sigurisë publike, si dhe ndërprerja e militarizimit të mëtejshëm të rajonit përmes ndërtimit të bazave ushtarake të ndryshme serbe.

Në platformën politike është paraparë edhe decentralizimi i pushtetit dhe transferimi i kompetencave prej nivelit qendror në nivelin e vetadministrimit lokal, në arsim, shëndetësi, kulturë, informim, zhvillim ekonomik dhe institucioneve tjera shtetërore e posaçërisht në sistemin gjyqësor, ku duhet krijuar Gjykatën e Qarkut, Gjykatën Tregtare, Këshillin për Kundërvajtje me kompetencë territoriale për këtë rajon.

Po ashtu, platforma politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, parasheh edhe moscenimin e kufijve, ndryshe subjektet politike shqiptare do të marrin qëndrim adekuat konform rezultateve të referendumit të shqiptarëve të këtij rajoni.

Kushtet

Beogradi zyrtar nuk ka vullnet e as që tregon gatishmëri serioze në përmbushjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kërkesat reale dhe legjitime të shqiptarëve anashkalohen dhe heshtin për motive politike. Edhe më tej vazhdon të militarizohet rajoni, ndonëse me Marrëveshjen Paqësore të Konçulit, ky rajon është dashur që nga vitit 2001, të demilitarizohet.

Mosgatishmëria e Beogradit zyrtar për qasje serioze të problemeve të pazgjidhura në Luginën e Preshevës, vazhdon të manifestohet me militarizimin e sërishëm të rajonit, uljen e investimeve, moshapjen e vendeve të reja të punës, ngritjen e shkallës së varfërisë dhe mirëqenies sociale, moskompensimin e dëmeve të shkaktuara nga konfliktet e armatosura, moskrijimi i kushteve për kthimin e papenguar të mbi 15 mijë të zhvendosurve, burgosja dhe përndjekja e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së në këto hapësira, që janë shkaktarët kryesorë të këtyre tensioneve, e që paraqesin rrezik permanent për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Të gjitha këto bëhen me qëllim të bllokimit të reformave demokratike, të cilat pak kanë shënuar progres, që nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizim, (e quajtur si marrëveshje e paqes) nga përfaqësuesit e UÇPMB-së dhe nga përfaqësuesit e NATO-s, që është realizuar nga UÇPMB-ja, por kjo marrëveshje nuk ka ndodhur reciprokisht edhe me forcat ushtarake dhe policore serbe, të cilat janë të përafërta me forcat që ka pasur Serbia në vitin 1999, dhe se në këtë rajon ende ekzistojnë pjesëtarë të këtyre forcave që kanë vepruar në Kosovë, dhe që kanë marrë pjesë në keqtrajtimet e shumta të shqiptarëve, gjatë periudhës 1999-2001.

Uji Dea

Reciprociteti

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkojnë status të njëjtë me serbët e Kosovës, dhe se kundërshtojnë kategorikisht çdo ide, që çon drejt ndarjes tokësore të saj.
Ata janë edhe kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por po qe se një gjë e tillë kërkohet kategorikisht nga serbët e Kosovës dhe nga Beogradi zyrtar, shqiptarët e këtij rajoni, pashmangshëm do të kërkojë integrim brenda kufijve të Kosovës, ku më parë kanë qenë edhe pjesë e saj.

Por, po qe se insistohet me çdo kusht në lojën e ndërrimeve, atëherë shqiptarët e Luginës do të kërkojnë zbatimin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, ku për më se dy dekadash më parë u patën deklaruar për bashkëngjitje me Kosovën.

Shqiptarët e Luginës nuk shohin perspektivë brenda Serbisë për faktin se kjo e fundit, përveç dhunës dhe terrorit asgjë të mirë nuk ka bërë për shqiptarët, vlerësojnë liderët e partive, dhe një pjesë të fajit për këtë dhunë shtetërore ata, ia hedhin edhe bashkësisë ndërkombëtare, ngase kur janë në pyetje shqiptarët ata nuk janë aspak objektiv dhe se nuk përkujdesen njëjtë sikur për serbët e Kosovës.

Aktualisht, në Luginë të Preshevës, pozita e shqiptarëve përshkruhet të jetë mjaft e rëndë, e vështirë dhe e paperspektivë. Qeveria e Beogradit, nuk ka shprehur as interesimin më të vogël që të paktën pas përfundimit të konfliktit në maj të vitit 2001, të avancojë pozitën politike, kulturore dhe sociale të shqiptarëve.

Duke pasur parasysh pozitën e tyre edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë praninë e tyre në bisedimet Prishtinë – Beograd, ngase sipas vlerësimit të tyre, nuk do të ketë Kosovë stabile, e as Serbi demokratike, po qe se nuk gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për këtë rajon.

Shqiptarët e Luginës rikonfirmojnë vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës, si rajon të posaçëm autonom, politiko-territorial.

Një zgjidhje e këtillë, për shqiptarët e Luginës, do të jetë e pranueshme po qe se në definimin e statusit final të Kosovës, respektohet parimi i moscenimit të kufijve të saj, ndryshe shqiptarët e këtushëm, lidhur me statusin politik të rajonit, obligohen të marrin qëndrim adekuat konform vullnetit politik të shprehur në Referendum.

Ngecjet

Për rajonin e Luginës ende mbetet e pazgjidhur çështja e kthimit të më se 15 mijë të zhvendosurve nga Medvegja, Malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës. Tërheqja e Misionit Monitorues të Unionit Evropian (EUMM) dhe UNHCR-së nga Medvegja vetëm sa e kanë keqësuar gjendjen në këtë sferë, ndërsa në Malësinë e Bujanocit dhe në Karadakun e Preshevës, prezenca e madhe e forcave të sigurisë, mungesa e investimeve konkrete në infrastrukturë, janë faktorë që pengojnë kthimin e të zhvendosurve.
Derisa kthimi i serbëve në Kosovë, është një nga indikatorët kryesorë të plotësimit të standardeve, një iniciativë e tillë për kthimin e të zhvendosurve shqiptarë nga Lugina, nuk ndërmerret as nga qeveria serbe, e as nga faktori ndërkombëtar, që është dhe monitorues i këtyre proceseve.

Para 6-7 vjetësh, në Asamblenë komunale të Bujanocit, u formua një Këshill Anketues, i cili kishte për qëllim të shoh për së afërmi me çka ballafaqohen malësorët dhe cilat do të jenë prioritetet e investimeve në fshatrat e Malësisë së Bujanocit.

Masat e parapara për aksione konkrete rreth krijimit të kushteve për kthimin e të të zhvendosurve, kanë ngelur vetëm në letër. Nuk janë përmbushur kërkesat e të të zhvendosurve për rregullimin e infrastrukturës, kompensimin e dëmeve të luftës, por është kërcënuar seriozisht ekzistenca edhe atyre pak banorëve, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Malësi.

Të gjitha këtyre problemeve me të cilat përballen malësorët, kur t’i shtohet edhe koncentrimi i shtuar i forcave të kombinuara serbe, atëherë lë të kuptosh se në çfarë gjendjeje ndodhen ata pak banorë të Malësisë.

Për shkak të këtyre ngecjeve politike dhe ekonomike, Kryesia e zgjeruar e këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, pati organizuar tri protesta të mëdha, në të cilat u përfshinë mijëra shqiptarë të këtij rajoni.

Emërues i përbashkët i këtyre protestave ishte diskriminimi i hapur që po ushtron Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve në këto komuna. Protestat për ngritjen e nivelit të lartë të arsimit, pastaj rregullimi me ligj i simboleve kombëtare u mbështetën jo vetëm nga shqiptarët e Luginës, por edhe nga faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në këtë drejtim nuk përjashtohen reagimet e shoqatave të dala nga lufta kundër ekstradimit të ish-ushtarit të UÇK-së dhe UÇPMB-së, Shemsi Nuhiut nga Presheva në Serbi, të akuzuar për gjoja krime të luftës në Gjilan gjatë vitit 1999.

Tepër shqetësuese, madje edhe kundërshtuese nga skena politike shqiptare e Luginës së Preshevës, është nënshkrimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë marrëveshje nga ana e Qeverisë së Kosovës dëmtohet rëndë interesi i drejtpërdrejtë i qytetarëve të Luginës së Preshevës, duke ndikuar shumë keq në raportet komunikuese në mes të shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës.

Spektri politik i Luginës kërkon nga qeveria e Kosovës që nga këto masa të tarifave doganore të lirohen qytetarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, të cilët kalojnë nëpër pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ashtu siç ka bërë shteti serb me përjashtimin e pikave kufitare të veriut të Kosovës, nga po e njëjta masë.

Prioritetet

Një nga prioritet për vitin 2013, shqiptarëve të Luginë të Preshevës u mbetet jetësimi i vullnetit politik të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992, për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës.

Prioritet për vitin në vijim do të ishte zbatimi i Platformës politike të Këshilltarëve Shqiptarë të tre Kuvendeve: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të miratuar, më 14 janar 2006, heqja e taksave doganore me Kosovën, që është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për shqiptarët e Luginës.

Zgjidhja e dygjuhësisë dhe rregullimi me ligj i përdorimit zyrtar të simboleve kombëtare edhe më tej mbeten nja nga prioritete e drejtuesve politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Përparimet në infrastrukturë, më shumë të drejta në sferën e integrimeve komunale dhe shtetërore, hapjen e vendeve të reja të punës, avancimit të arsimit dhe kulturës, ngritjen e mirëqenies sociale etj.(autori është redaktor në preshevajonë)