Fundamenti

Fundi i “votës borxh”

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Zgjedhjet e 14 shkurtit treguan se qytetarët nuk ia kanë votën borxh asnjë partie dhe nuk janë peng i askujt. Ata zgjodhën t’i ndëshkojnë ata që shpesh ditën ta keqpërdorin vullnetin dhe besimin e tyre.

Nuk më ka rastisur të takoj votues më të durueshëm sesa ata të LDK’së. Votues besnikë, të cilët ndër vite, pavarësisht gjimnastikave politike të kreut të partisë, kishin gjetur kurajo t’ia besojnë sërish votën kësaj partie.

Kështu kishin vepruar atëherë kur LDK u bë pjesë e koalicionit VLAN, por që kryetari i partisë ua keqpërdori besimin e dhënë dhe u fut në koalicion me PDK’në. Paraprakisht, në fushatë zgjedhore, ai ishte betuar se kurrë nuk do të bënte koalicion me SHIK’un dhe partinë e Hashim Thaçit. Por, me votat e LDK’së ish-drejtuesi i SHIK’ut u zgjodh kryetar Kuvendi, e Thaçi më vonë president.

Besnikë dhe të durueshëm votuesit e LDK’së u treguan edhe në vitin 2019, kur partia nxori si kandidate për kryeminstre Vjosa Osmanin. Ata e votuan atë me idenë se do të bëhej koalicioni VV-LDK. Kështu edhe ndodhi, por koalicioni nuk zgjati as dy muaj dhe me nismën e LDK’së, qeveria u prish në pandemi. Në qershor partia e Mustafës harroi sërish premtimin dhënë votuesve dhe iu rikthye bashkëpunimit me dy parti të ish-koalicionit PAN, duke krijuar qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Një qeverie apatike që dështoi të menaxhojë si duhet situatën me pandeminë. Dhe, në përpjekje për të arsyetuar, siç thuhej, punën e mirë që ishte bërë, zyrtarë të LDK’së nuk ngurronin të merreshin edhe me, siç thonin, dështimin e qeverisë së Albin Kurtit, pjesë e të cilës ishin edhe vetë.

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore Hoti përsëriste pandërprerë se ai dhe qeveria e udhëhequr nga ai i kishin sanuar raportet me SHBA’në dhe e kishin kthyer Kosovën në “kursin veriatlantik”. Por, duket se këtyre arsyetimeve nuk iu besuan as vetë votuesit e LDK’së. Për më tepër, ata e ndëshkuan fort këtë parti, duke i shkaktuar humbje të thellë, aq të thellë sa i duhet kohë e gjatë për ta marrë veten. Kësaj radhe votuesit e kësaj partie – por jo vetëm – bënë qartë të ditur se nuk ishin peng i asnjë partie dhe askujt nuk i kishin vota borxh.

* * *

Me qasje klienteliste, arrogancë e shpërfillje, partitë që kanë qeverisur deri tash thuajse e konsideronin të sigurt votën që duhej t’ua besonte elektorati Me premtime kryesisht financiare, me rritje pagash në sektorë të caktuar që gjeneronin vota më shumë, ato thuajse i konsideronin pengje votuesit e tyre, të cilëve u kishin kryer ndonjë shërbim – që nga punësimet në sektorin publik deri te ofrimi i beneficioneve të tjera. Në këtë mënyrë, partitë i bënin borxhlinj votuesit e tyre zgjedhje pas zgjedhjesh. Por, nuk ishte kjo e vetmja mënyrë për t’i lidhur ata fort me partinë. Në lojë futeshin edhe aspekte të tjera më të ndjeshme.

Mobi Casa

Sa e sa herë LDK ka fituar votën në emër të Ibrahim Rugovës, pas vdekjes së tij. Sa e sa herë partitë “e dala nga lufta” kanë marrë vota në emër të luftës, vite e vite pas mbarimit të saj.

Me një siguri të pashpjegueshme, këto parti konsideronin se votat për to janë borxh, pavarësisht se si vepronin më pas me to – shpesh duke abuzuar për qëllime personale e grupore dhe duke shkelur vullnetin e votuesve.

Zgjedhjet e 14 shkurtit treguan se kësaj prakrike po i vjen fundi dhe partitë nuk mund të llogaritin më në votë të gatshme, votë borxhi, pavarësisht se si do ta trajtojnë atë më pas. Kjo më së shumti vërehet te LDK’ja, një parti që tradicionalisht ka pasur një votues të durueshëm e të besueshëm, që shpesh jepte votë besimi veç për “frymën rugoviane” dhe “institucionalizmin” e shumëpërfolur. Të dyja këto ishin më tepër fluska propagande që mblidhnin vota, sesa filozofi politike që mund të përkthehet në praktikë në dobi të qytetarëve.

* * *

Leksioni i 14 shkurtit duhet të mësohet dhe të mbahet mend nga të gjitha partitë. Tashmë elektorati nuk jep më votë “blanko”, për arsye shpeshherë edhe banale. Njerëzit nuk iu kanë partive vota borxh, por ato duhet merituar me programe dhe punë serioze. 14 shkurti tregoi se ka mbaruar koha kur partitë e kanë pasur të sigurt votën në bastione e rajone të caktuara. 14 shkurti tregoi se elektorati i partive të caktuara duron gjatë, por di edhe të shpërthejë, duke ndëshkuar rëndë ato.

Përtej rezultatit të dalë nga kutitë e votimit, 14 shkurti shënoi edhe një kthesë në mendësinë e qytetarëve, duke i dhënë rëndësinë që jo gjithnjë e kishte vota e secilit nga ta. 14 shkurti, ndonëse ditë e festës së dashurisë, tregoi se dashuria ndaj partive nuk zgjat përgjithmonë. Sidomos kur ky besim dhe kjo dashuri shpërfillen lehtësisht. Sidomos kur gjithçka keqpërdoret paturpësisht.