Fundi i UNMIK-ut i vështirë , për shkak të Moskës dhe Beogradit

Profesori Daniel Serwer nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike ka deklaruar se largimi i UNMIK’ut nga Kosova është punë e vështirë, pasi për një gjë të tillë duhet vendimi i Këshillit të Sigurimit.
Pikërisht ky mekanizëm, sipas Serwer, vështirë se mund të nxjerrë një vendim për këtë, pasi Beogradi dhe Moska do ta konsideronin një gjë të tillë si përpjekje për konfirmimin e pavarësisë së Kosovës.
“Duhet vendimi i Këshillit të Sigurimit për ta përmbyllur formalisht misionin e UNMIK’ut. Kjo nuk do të jetë e lehtë të arrihet. Çdo përpjekje për ta përfunduar mandatin e UNMIK’ut Beogradi dhe Moska do ta shohin si konfirmim të sovranitetit dhe pavarësisë” ka thënë Serwer për Express.
Ky analist ka thënë se misioni pothuajse nuk ka më arsye të qëndrojë në Kosovë.
“Pyetja që duhet bërë është kjo, cila është arsyeja që UNMIK të mbetet në Kosovë. Pak ose s’ka arsye do të ishte përgjigja. Misioni i UNMIK’ut ka qenë implementimi i rezolutës 1244, gjë që është arritur. Aktivitetet e mbetura të UNMIK’ut më duket se përputhen me ato të OSBE’së, që është ende e nevojshme në Kosovë për të mbështetur institucionet demokratike” ka thënë ai.
Por, sipas Serwer, UNMIK me gjasë do të mbetet më gjatë në Kosovë, për shkak të mospajtimeve në OKB.
“Derisa unë e preferoj fundin e mandatit të tij, fatii UNMIK’ut është më shumë atrofia se sa abolimi. E kuptoj që disa njerëz duan që UNMIK’u të marrë funksionet e EULEX’it. Qeveria e Prishtinës nuk do të pajtohet me këtë. Nuk ka arsye që Kosova ta ftojë UNMIK’un që ta zëvendësojë EULEXin në fushën e drejtësisë e cila po ashtu deri më tani ka pasur momente të këqija” ka pohuar Serwer.
UNMIK i përgjigjet Hoxhajt: Për misionin vendos Këshilli i Sigurimit
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë iu është përgjigjur deklaratave të Ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se UNMIK duhet të largohet nga Kosova, për shkak se po e pengon anëtarësimin e vendit në OKB.
Zëdhënësi i këtij misioni në Kosovë Olivier Salgado,i ka thënë Gazetës Express se çështja e mandatit të UNMIK’ut është kompetencë e Këshillit të Sigurimit.
Zyrtarët e OKB’së janë kursyer nga polemikat me zyrtarët kosovarë. ata nuk kanë përmendur ndonjë afat se kur ky mision mund të largohet.
“Siç e dini,UNMIK e merr mandatin nga Këshilli i Sigurimit të OKB’së. Rrjedhimisht është e drejtë dhe kompetencë e KS të OKB’së që të vendos për fatin e misionit tonë” ka thënë Salgado.
Hoxhaj, disa ditë më parë ka kërkuar që OKB të largohet nga vendi pasi ka përmbushur misionin.
Ai po ashtu ka thënë se një vizitë që shefi i UNMIK Farid Zarif e kishte bërë gjatë muajit korrik në Rumani, është kundër interesit shtetëror të Kosovës.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Hoxhajt, Salgado ka thënë se Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm përveç Rumanisë ka udhëtuar edhe në vende tjera europiane.