Eko Higjiena

Fundi i një farse

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Ata që e mbronin me fanatizëm Ferid Aganin, tash janë çuar kundër tij dhe e kanë shkarkuar nga kreu i partisë. Jo për parime, por për pushtet. Kështu po i heqin maskat të devotshmit e partisë. Kështu po përfundon Partia e Drejtësisë. Një farsë prej partie, një farsë prej morali. Kur në fund të janarit të sivjetmë kisha shkruar për Ferid Aganin, i cili u bë pjesë e kabinetit të Isa Mustafës pavarësisht dështimeve si ministër i Shëndetësisë, zyrtarë të Partisë së Drejtësisë, të cilët kujdeseshin që ta mbronin kryetarin nga çdo kritikë, m’u vërsulën me epitetet më të ulëta. Më thaë se isha dhunues i të drejtave dhe lirive të njeriut, sekretari i këtij subjekti me orientim islamik më etiketoi edhe si “racist” e “fashist”, ndërkaq deputetja e vetme e PD’së në Kuvend më quajti “të paguar” dhe “tendencioz”, teksa i thurte lavde shefit të saj.

Aganin po e kritikoja për faktin se, pavarësisht se kishte dështuar gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe nuk e kishte realizuar asnjë premtim elektoral, ai ishte rehatuar në karrigen e ministrit të Mjedisit. Ndërkaq, nuk po i zbatonte vendimet e pararadhësit të tij dhe po vazhdonte të shiste moral – “në emër të zotit – me drejtësi”.

Sulmet ndaj meje nuk pushuan as gjashtë muaj më vonë, kur Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë ndaj Aganit dhe 63 të tjerëve, me dyshimin për keqpërdorim të 4.5 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Edhe atëherë zyrtarë të partisë së tij e mbronin dhe e përkrahnin me çdo kusht.

Agani kishte fituar dy herë poste ministrore për shkakun se po bëhej pjesë e kombinatorikave parazgjedhore, e jo se po përfaqësonte farë opsioni politik serioz. Ai vazhdonte të shiste moral, e jo ide. Thjesht, ishte një prurje aksidentale në politikë.

Por me dorëheqjen nga posti i ministrit, zyrtarët që ia rrihnin krahët dhe e mbronin nga gjithkush dhe gjithçka, u çuan kundër tij. Ata që më thoshin se nuk kam të drejtë të flasë për moralin dhe dinjitetin e askujt dhe as të shpreh “dhembshurinë e djallit për askënd”, tash po e bënin të njëjtën gjë. Madje, organizuan një kuvend puçist brenda partisë dhe e shkarkuan nga posti. Natyrisht – “në emër të zotit – me drejtësi”.

Mbrojtësit fanatikë të Ferid Aganit papritmas e kishin vënë në shënjetësr atë dhe po e akuzonin se partinë e ka shndërruar në matematikë për partnerët e mëdhenj të koalicionit qeveritar. Ata që i akuzonin të tjerët se po shesin moral, tash po e akuzonin shefin e tyre, idhullin e tyre për mungesë morali politik. Ata që thoshin se Agani ishte personifikim i programit të PD’së tash bërtisnin se ishin aty për ta mbrojtur fuqishëm dhe për të çuar përpara po atë program. Në emër të kësaj edhe e shkarkuan dhe zgjodhën kryetar të ri.

* * *

Hidromorava

Nuk do t’ia vlente as të merresha me një subjekt politik minor si ky, e as me zyrtarë të tij. Por, PD votat i ka fituar duke shitur rrejshëm moral e duke dhënë premtime që nuk janë realizuar asnjëherë. Përndryshe, po të realizoheshin premtimet e bëra nga Agani dhe vartësit e tij, kosovarët tashmë do të kishin sigurimin shëndetësor, pensionistët barna falas, vajzat që bartin shami do të shkonin pa probleme në shkollë, ndërkaq mësimi i fesë do të ishte pjesë e planprogrameve shkollore.

Mandatin e kaluar Agani ia doli të bëhet ministër i Shëndetësisë pasi iu bashkua koalicionit të Begjet Pacollit, ndërkaq në zgjedhjet e kaluara ai me partinë e tij u fut në listën e PDK’së, për të marrë post ministri sërish në qeverinë e Isa Mustafës. Megjithatë, asnjëhjerë nuk ia arriti të realizojë premtimet e bëra me pompozitet. Gjithçka doli të jetë veç një farsë me qëllim të ardhjes në pushtet. Natyrisht – “në emër të zotit – me drejtësi”.

Nëse të tjerët i kanë akuzuar për amoralitet, si paskan moral tash ish-bashkëpunëtorët e tij, fidanët e partisë, që përnjëherë t’i harrojnë lavdet për shefin dhe ta akuzojnë po për amoralitet politik? Gaboheni nëse mendoni se këtë e bëjnë për çështje parimesh e morali. Jo. Gjithçka ka të bëjë me përfitimet dhe privilegjet e pushtetit, të cilat nuk mundi t’i gëzojë më partia, pasi që kryetari i saj u gjend nën akuzë.

* * *

Partia e Drejtësisë, si një subjekt me orientim islamik, pavarësisht përpjekjeve nuk ia ka dalë të maskohet pas idesë se është një subjekt politik konservator i qendrës së djathtë. Një parti e vockël, e cila asnjëherë nuk ishte, siç kanë dëshirë ta besojnë zyrtarët e saj, një lojtar i rëndësishëm në skenën politike kosovare. Një parti e cila më shumë ka dëmtuar, sesa ka ndihmuar. Një parti që vazhdimisht ka shitur moral e hipokrizi.

Dhe tash, kur përçarjet brenda saj janë thelluar tej mase, të gjithë duhet ta kuptojnë se gjithçka ishte veç një farsë. Një farsë për të përfituar nga të qenët në pushtet. Natyrisht – “në emër të zotit – me drejtësi”.