RCCOLA

Fundi i aleancës Kurti-Osmani? Presidentja godet argumentin kryesor të Kryeministrit kundër Asociacionit

/ 8 minuta lexim
KKGJILAN

Moskoordinimi për një letër të dërguar në Strasburg duket se i dha fund marrëdhënieve të mira ndërmjet kryeministrit dhe presidentes. Vjosa Osmani thotë se ajo letër e nxori Asociacionin nga marrëveshja me Serbinë. Kurti këtë e ka përdorur si argument kryesor përballë BE’së dhe SHBA’së kur ka kundërshtuar zbatimin e Asociacionit. Osmani nuk u ndal me kaq. Ajo e cilësoi qesharak arsyetimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca se mungesa e komunikimit Qeveri-Presidencë ndodhi pa qëllim. Albin Kurti refuzoi të fliste.

Popullariteti i madh që e kishin mbledhur Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, i çoi ata në përgjegjësitë më të larta shtetërore në vitin 2021. Më 14 janar të atij viti, ata kishin nënshkruar një marrëveshje për “parimet dhe synimet politike” e një muaj më pas, garuan së bashku në zgjedhjet parlamentare në të cilat triumfuan bindshëm.

Viti i fundit i mandatit të Qeverisë që doli prej atyre zgjedhjeve po shënon publikisht fundin e marrëdhënieve të mira ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.

Një mungesë totale komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, e shpërfaqur para rreth dy javësh kur Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Europës, i ka vënë përballë krerët e shtetit.

Qeveria e çoi një letër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, në një përpjekje të fundit për t’i bindur ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre, duke premtuar përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. Kështu, Ekzekutivi shpresonte që pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të vendoste përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, gjë që nuk ndodhi.

Shefja e shtetit nuk e mbështeti këtë letër që mbante nënshkrimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tash e drejton Guxo-në, partinë, kryetare e së cilës ishte Vjosa Osmani deri në prill të vitit 2021. Këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha se presidenten nuk e kishin konsultuar për këtë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca të martën u përpoq ta arsyetonte duke e quajtur të paqëllimtë moskomunikimin ndërmjet dy institucioneve tjera kryesore të vendit, që janë vetëm disa hapa larg njëri-tjetrit. Tha se e ka kuptuar këtë “si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme” dhe se kjo “ka mundur të ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, tha Konjufca në një deklarim para gazetarëve.

Ai tha se nuk sheh se Qeveria ka bërë “diçka te qëllimshme kundër Presidentes, apo që të mbajë diçka fshehur”.

“Ka qenë thjesht teknikisht, ma merr mendja, një largësi e madhe atë ditë, për të cilën po flasim, gjë që ka pamundësi që ndryshimet e çdo minute, propozimet e çdo minute që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të mund ta krijojnë atë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndajë të gjitha me Presidencën. Dhe Presidenca e ka pasë reagimin e saj, ju e keni parë. Me siguri si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi do të duhej të ishte ndarë”, tha Konjufca.

“Kjo vërtetë është qesharake”, për Osmanin, e cila sikur nuk donte të besonte se kryeparlamentari i kishte thënë këto fjalë.

RCCOLA

“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë. Do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi”, tha ajo.

Presidentja tha se “të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht nëpërmjet telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit”.

Ajo letër, sipas Osmanit e ka ndryshuar “në tërësi” qëndrimin e mbajtur nga Kosova deri atë ditë për çështjen e Asociacionit.

“Të thuhet që një informatë kaq fundamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtë deri atë ditë, që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës… të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, u shpreh ajo, duke kujtuar se “është domosdoshmëri kushtetuese, në përputhje me nenin 84, që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme, që sipas kushtetutës sonë, gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës”.

“E të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pasë të bëjë me largësinë, për mua është diçka që as nuk dua ta besoj që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin”, tha Osmani.

Sipas saj, kjo “tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të Presidenca”. Kjo, tha se për të “është vërtetë edhe shumë qesharake”. Tha se të gjitha institucionet “e dinë shumë mirë që Presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo dite të javës në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të Presidentes”.

“E kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe që kushdoqoftë ta thotë një gjë të tillë”.

Ajo hodhi dyshimin edhe se “mund të ketë qenë ndoshta ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i Kuvendit”, pasi tha se “me të si kryetar i Kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm” dhe se “asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tema të rëndësishme”.

“Edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat, ka mënyra të sigurta të komunikimit të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër: në qoftë se tema paska qenë te mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani, që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër, para Presidentes së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Twitter. Pra, për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra, kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë, nuk paska pasur mënyra që të koordinohet kjo me Presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, tha Osmani.

Kryeministri refuzoi që të ndalej e të fliste për këtë. “2 qershor, janë zgjedhjet për kryetar komune në Preshevë e Bujanoc”, iu tha ai gazetarëve të cilët po e pyesnin për deklaratën e presidentes, pasi mori pjesë në një tubim elektoral në Prishtinë për zgjedhjet lokale në Luginë.

Ka kohë që presidentja nuk po i qëndron gjithherë në krah kryeministrit dhe tashmë mund të thuhet me siguri se tandemi Kurti – Osmani është prishur. Ka edhe një kronologji të mosmarrëveshjeve që e shkaktuan këtë – nga çështja e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndërkombëtare, konfrontimi i drejtpërdrejtë, e deri te mungesa totale e komunikimit.