Fundamenti

Fukarallëku e paperspektiva ndjekin rininë nga Kosova

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Ekspertët kosovarë vlerësojnë se institucionet e Kosovës duhet të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar largimin e të rinjve nga Kosova. Sipas tyre, largimi i të rinjëve nga Kosova, nëpërmjet rrugëve ilegale do të duhej t’i përkiste të së kaluarës.

Sociologu Shemsi Krasniqi ka thënë për Telegrafin se pakënaqësia e të rinjve me gjendjen e përgjithshme ekonomike e sociale, po përcillet me ndjenjën e depresionit, të mosdurimit dhe të mungesës së perspektivës.

Ai thotë se pritjet e tyre për Kosovën e pasluftës kanë qenë shumë më ndryshe nga realiteti aktual.

“Para se shpresat e tyre të shndërrohen në iluzione, ata përpiqen të bëjnë zgjidhje personale, nganjëherë të paligjshme, të rrezikshme dhe aspak dinjitoze”, tha Krasniqi për Telegrafin.

Sipas tij, të rinjtë kosovarë do duhej të ishin më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm për fatin personal.

“Përqendrimi i tyre mbi aftësimin profesional, jo vetëm formal, por vërtetë aftësim esencial – pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje në të gjitha nivelet dhe në mënyrë shumë më të vendosur sesa deri më tash – kultivimi i një fryme dialogu e komunikimi me gjeneratën e vjetër, e jo ikje e konfrontimi, do t’u ndihmonte të rinjve në krijimin e perspektivës më të mirë edhe në vendin e tyre”, tha Krasniqi.

Uji Dea

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi ka theksuar se arsyeja kryesore që të rinjtë mërgojnë nëpër vendet perëndimore është gjendja e rëndë ekonomike, por para kësaj qëndron gjendja e paperspektivë.

“Do të thotë se kryesisht të rinjtë nuk shohin ardhmëri në këtë vend, ku shkalla e papunësisë dhe ajo e varfërisë janë mjaft të larta. Ndërkaq, kjo është gjenerata, e cila duhet të ndërtoj ardhmërinë, si edhe karrierën, e që në këto rrethana këtë e ka gati të pamundur”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka vetëm një mundësi që të ndalë ikjen e pjesës më vitale të popullatës dhe të investojë në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të punës – të ngrisë cilësinë e arsimimit dhe punësimit të bëhet sipas shkallës së arsimimit dhe ngritjes profesionale.

“Për fat të keq edhe disa individë që erdhën me një entuziazëm, tash u kthyen prej nga erdhën, meqenëse këtu gjetën një ambient jo aq miqësor. Prandaj, pa dyshim se pjesa më e aftë dhe më e kualifikuar e popullatës do të kërkojë zgjidhje, kudo qoftë në Evropë”, ka deklaruar Rexhepi.

Ndryshe, mediat raportojnë se me qindra shtetas kosovarë, kryesisht të rinjë këto ditë kanë lëshuar Kosovën duke u nisur nga Podujeva, Skenderaj, Drenasi, Ferizaj dhe Prishtina, për të udhëtuar nëpër Serbi në drejtim të Hungarisë, prej nga, nëse kanë fat, ilegalisht udhëtojnë për ndonjërin shtet më të afërt të perëndimit.((B.Devolli) /Telegrafi/